Një 60-vjeçar i cili punon si kambist është grabitur mbrëmjen e të premtes në Sarandë. Një person i maskuar i ka bërë pritë Ibrahim Didanit në hyrjen e pallatit në momentin kur ka tentuar të hyjë në ashensor për të shkuar në banesën e tij.

Autori e ka shtyrë dhe gjuajtur, më pas i ka grabitur atij shumën prej 500 mijë lekë të reja. Ngjarja e rëndë u regjistrua në lagjen numër 4 të Sarandës.

Uniformat blu kanë marrë në pyetje dhe 60-vjeçarin Didani, i cili është shprehur se një person po e priste tek ashensori, ndërsa dy të tjerë po prisnin jashtë pallatit, dhe e sinjalizonin për lëvizjet e tij.

Sipas burimeve të policisë, 60-vjeçari është dhunuar nga autorët, ndërsa pas ndihmës mjekësore është larguar për në banesë. Shërbimet e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, për të mbledhur provat me qëllim identifikimin e autorëve.

Policia e Sarandës ka nisur krehjen e zonës dhe këqyrjen e kamerave për të identifikuar autorët e grabitjes.

Klan News