Tjetër grabitje miliona Eurosh në Rinas

Foto nga vendngjarja

Tjetër grabitje miliona Eurosh në Rinas

16:30 09/04/2019

Një nga pesë grabitësit që vodhën disa miliona Euro në aeroportin e Rinasit gjatë kohës që po ngarkoheshin në avion u vra nga policia. Ai nuk është më shumë se 35 vjeç dhe është prova kryesore që mund të çojë në identifikimin e autorëve të tjerë. Atij i janë gjetur armë, pranga, granata dhe një sasi eksplozivi më vete. Hetuesit i kanë marrë shenjat e gishtave dhe do t’i krahasojë më databasin e saj për të verifikuar nëse është person me precedent penal. Në rast se jo, do t’i kërkohet ndihmë kompanisë se prodhimit të pasaportave.

Autorët kanë hyrë në pistën e Rinasit rreth orës 15:00 të se hënës pikërisht në kohën kur thuajse kishte perfunduar ngarkimi i thasëve me para të tre bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Nën kërcënimin e armëve kanë marrë thaset me para në pjesën e kargos së avionit. Bëhet fjalë për disa miliona Euro ishin ngarkuar në një avion të linjës Tiranë – Vienë dhe transportuar nga një makinë e kompanisë “Nazeri 2000”. Grabitësit kanë hyrë me një furgon me logon e hetimit tatimor me targa false nga ana e parkingut 24 orësh të pasagjerëve dhe kanë dalë nga kjo portë në krah të rrugës Rinas – Fushë Krujë, porta e zjarrfikësve, e njëjta nga ku 3 vjet më parë hyri edhe një Mercedes që u përdor për një grabitje të ngjashme.

Autorët për të kryer grabitjen përdorën një furgon të bardhë me mbishkrimin “Kontrolli Tatimor” dhe më pas dolën nga e njëjta portë.

Disa pasagjerë të avionit dëshmuan se grabitësit u vendosën armët në kokë punonjësve të policisë private. E njëjta gjë konfirmohet edhe nga kamerat e sigurisë, ndërsa nga veprimet e autorëve duket se çdo gjë ka qenë e mirëmenduar edhe përplasja me armë më policinë.

Pas rreth 800 metrash pasi kanë dalë nga pista, grabitësit janë përballur me blutë, të cilat ndodhen të stacionuar pranë aeroportit. Ata kanë qëlluar me armë ndaj efektivëve, të cilët u kundërpërgjigjën.

Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vdekur njëri nga grabitësit, në afërsi të urës së Tapizës. Pikërisht në këtë vend iu vu flaka furgonit me logon e “Hetimit Tatimor”. Nga ky vend ata kanë ikur me nje tjetër furgon i cili u gjet i djegur mes Kamzës dhe Bathores rreth orës 15:30 minuta. Ndërsa është ende e paqartë se si janë larguar autorët nga ky vend, por ka dyshime se këtu ata janë shpërndarë, duke ikur në drejtime të ndryshme. Në mjetin e djegur është gjetur dhe një arsenal armësh automatike dhe granata. Sipas hetuesve, kjo tregon se autorët kanë qenë të përgatitur për më të keqen, një përplasje me armë me blutë.

40 persona janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje, ndërsa janë lëshuar dhe 4 urdhër-ndalime. Veç grabitjes së shumës së madhe të parave dhe vrasjes gjatë shkëmbimit të zjarrit, kjo ngjarje vë dhe njëherë në dyshim sigurinë e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Policia e Rinasit thotë se zyrtarisht për Tv Klan se përgjegjëse për sigurinë në perimetrin e brendshëm është kompania ICTS. Tv Klan u mundua të kontaktojë me zyrtarë të kësaj firme, por e pati të pamundur.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT