Kamerat e Sigurisë së dy bizneseve mbrapa stadiumit “Qemal Stafa” kanë fiksuar qartësisht momentin, kur dy prej grabitësve të punonjësit të pikës së këmbit valuator janë larguar në drejtim të Liqenit Artificial.

Burime nga policia bëjnë me dije se, pavarësisht se autorët duken të dy mbi motor, nuk arrihet të identifikohen elementë dallues të fytyrës.

Hetimet janë shtrirë kryesisht tek bashkëpunimi i personave të afërt dhe tek familjarët e pronarit të agjencisë së këmbit valutor me filal në bulevardin “Zogu I”.

Një burim i grupit hetimor i tha Televizionit Klan se, po hetohen të gjitha lëvizjet, telefonatat dhe mesazhet që kanë kryer dy të dëmtuarit dhe për këtë fakt atyre u janë sekuestruara dhe aparatet celulare.

180 mijë dollarë u grabitën mesditën e së martës në dalje të “Hotel Sheraton” nga dy persona, që më pas u larguan me motor.

Sipas policisë, grabitësit kanë qenë të paarmatosur dhe të pamaskuar dhe nuk kanë hasur në rezistencën e punonjësve të agjencisë së këmbimit valutor.

Nga pamjet filmike duket se, pasi shtyn punonjësin që kishte çantën me shumën e parave, grabitësi largohet qetësisht dhe askush nuk e ndjek nga pas.

Këto fakte, sipas policisë, e bëjnë të dyshimtë rolin e punonjësve të agjencisë.

Tv Klan