Një ngjarje e rënë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Vlorë. Një person i armatosur është futur brenda një argjendarie dhe ka kërcënuar pronaren e biznesit.

Policia e Vlorës ka reaguar lidhur me këtë ngjarje dhe nën me dije se është prangosur autori i dyshuar. Sipas policisë në pranga ka rënë një 18-vjeçar me iniciale M.K.

Po ashtu është sekuestruar dhe sasia e bizhuterive që u tentua të vidhej në argjendari si dhe arma që u përdor për të kërcënuar pronaren e biznesit.

Njoftim i plotë i policisë

Vodhi nën kërcënimin e armës së gjahut, një sasi bizhuterish në një argjendari, falë reagimit në kohë të Policisë kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një çantë me bizhuteritë e vjedhura, si dhe arma e gjahut me të cilën kërcënoi pronaren e argjendarisë.

Rreth orës 11:05, ka ardhur një telefonatë se në bulevardin “Ismail Qemali”, në argjendarinë në pronësi të shtetases E. H., kishte hyrë një shtetas, i cili dyshohet se në kërcënimin e armës së gjahut, ka vjedhur një sasi bizhuterish dhe është larguar. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë e mundur që autori i dyshuar, shtetasi M. K., 18 vjeç, të kapej dhe prangosej nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Isa Boletini”.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale bizhuteritë e vjedhura dhe armën e gjahut me të cilën kërcënoi pronaren e argjendarisë. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./tvklan.al