Bashkëshortja e Aleksandër Murataj kërkon drejtësi ose do bëjë vetëgjyqësi

Dështon sërish seanca për 6 të pandehurit për grabitjen e disa milionave euro në 3 episode të ndryshme nga 2015 deri në 2017. Ky grup drejtohej nga Admir Murataj, që u vra në 9 Prill të 2019, pas grabitjes së parave në pistën brenda Aeroportit të Rinasit. 6 të pandehurit kanë dy vite që presin vendimin nga Gjykata e Posaçme e Apelit, por procesi zvarritet për çështje proceduriale dhe mungesë avokatësh. Deri me tani janë mbi 90 seanca të shtyra. Bashkëshortja e Aleksandër Muratajt, njërit prej të pandehurve, kërkon drejtësi, ose do vetëflijohet bashkë me vajzën e mitur. 

Eda Lleshi tregoi për mediat edhe një audio regjistrim, që sipas saj, prokurori i çështjes ka deklaruar në seancën gjyqësorë se Aleksandër Murataj nuk ka marrë pjesë në grabitje.

Aleksandër Murataj, ka kërkuar nga gjykata ndarjen e çështjes nga pjesa tjetër e grupit, që realizoi grabitjet e blindave me para në rrugën e Rinasit. Ndërsa dy të pandehurit që kishin statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë në çështje janë liruar, pasi kanë përfunduar dënimin. Grupi i drejtuar nga Admir Murataj akuzohet për grabitjen e një banke të nivelit të dytë, tek stacioni i trenit në Shkurt të 2015-s, më pas në Dhjetor të po atij viti në, Qafë Kashar u grabitën autoblindat që po transportonin paratë për në Rinas.

Po i njëjti grup, sipas prokurorisë, ka grabitur sërish autoblindat në Shkurt të 2017-s. Shkalla e Parë e ish-Gjykatës për Krime të Rënda i ka dënuar 8 të pandehurit me 156 vite në total. Por atyre u është ulur 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. 8 të pandehurit akuzohen për veprat penale “Vjedhja e bankave” më shumë se njëherë, “Prodhim i mbajtjes pa leje të armëve luftarake” në formën e grupit të strukturuar, “Krijimit dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”.

Klan News