Dy të moshuarit Tahir dhe Sabire Sulmina që denoncuan në emisionin Stop grabitjen e banesës së tyre, kanë bërë kallëzim në Policinë e Cërrikut për ngjarjen.

Gazetari i emisionit Stop shkoi pranë ambienteve të këtij komisariati për të pyetur se çfarë po bëhet me hetimet e kësaj ngjarje. Hetuesit kanë patur avantazh, pasi banesa është e vëzhguar nga kamerat dhe e gjithë ngjarja është filmuar, ky dy grabitësit duken qartë.

Por në Policinë e Cërrikut thanë se nuk mund të japin shpjegime dhe gazetari duhet të bënte kërkesë me shkrim te zëdhënësja e shtypit në Drejtorinë e Policisë Elbasan.

Polici: Sipas përgjigjes, që më dhanë eprorët e mi, drejtohu zyrës së shtypit, pranë Drejtorisë së Policisë Elbasan!

Gazetari: Domethënë, nuk do vijnë ata?

Polici: Paraqit kërkesë zyrtare!

Gazetari: Do vijnë ata, apo jo?

Polici: Jo, nuk vijnë!

Gazetari: Cilat kanë qenë procedurat, i nderuar, nga fillimi, deri në fund, në këto momente, që flasim?

Shefi i komisariatit: Procedurat janë kryer korrekte, konform të gjitha standardeve. Ne kemi urdhër nga drejtori i përgjithshëm, të cilin nuk mund ta shkel, për të të dhënë një informacion ty, më tepër. Mund të drejtohesh me shkresë me  anë të zëdhënëses!

Gazetari: Me shkresë nuk ndodh asnjëherë me ne, të paktën me mua jo, sepse unë kam marrë mundimin, kam ardhur nga Tirana. Kanë kaluar 1 muaj e kusur dhe kjo zonja, së bashku me bashkëshortin e saj, qajnë me kokërr të lotit.

Gazetari: I nderuar, mund ta sqarosh pak qytetaren?

Denoncuesja: Ke nënë vetë në shtëpi?

Shefi: Kam!

Denoncuesja: T’i shkojnë nënës tënde 70 vjecare dhe babait tënd, e të jetojnë me derë hekuri…As burgu i Peqinit nuk e ka atë derë hekuri, që kam vënë unë.

Gazetari: Janë kqyrur kamerat e sigurisë?

Shefi: Janë kqyrur.

Gazetari: I keni parë dy personat? Kush janë ata?

Shefi: Nuk mund të të autorizoj më tepër.

Gazetari: Do japësh se s’bën përgjigje, sepse ata nesër shkojnë dhe i vrasin! E di ti këtë? Ku është mbrojtja e policisë?

Gazetari: A jeni në mbrojtje të qytetarëve, zotëri?

Shefi: Jemi!

Gazetari: Si? Ku? Si ia mbush mendjen ti kësaj nënës së moshuar, që është e mbrojtur? Pse nuk i keni kapur autorët?

Shefi: Po nuk kapen të gjithë autorët.

Gazetari: Janë dy autorë dhe janë shumë të identifikueshëm, zotëri.Unë vërtet nuk mund ta di, se jam i jashtëm, por ju jeni të zonës.

Denoncuesja: Ata, që erdhën në shtëpinë time, sa u hap kamera, thanë : “Është filani, është filani”.

Shefi: Nuk janë identifikuar.

Gazetari: Pse? Po çfarë pune bën policia, fle gjumë? 

Kur priteshin rezultate konkrete për zbardhjen e ngjarjes, emisioni Stop mëson se hetimet për grabitjen e banesës janë mbyllur nga Prokuroria.

Pronarëve të shtëpisë, pra çiftit të të moshuarve Tahir dhe Sabire Sulmina u kishte shkuar një letër nga Prokuroria e Elbasanit, ku  thuhet se procedimi penal është pezulluar dhe i është dërguar Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Dy të moshuarit vazhdojnë të shprehin frikën e tyre dhe faktin se ndihen të pambështetur nga policia dhe organet shtetërore. /tvklan.al