Kanë kaluar disa ditë nga grabitja e biznesmenit Elton Kelmendi dhe policia nuk ka asnjë të dyshuar. Në pamjet filmike të kamerave të sigurisë së bizneseve në rrugën kryesore në Shkozet të Durrësit, nuk është gjetur asnjë element ndihmues. Për hetuesit e çështjes, grabitja është kryer nga persona profesionistë.

Ndryshe nga grabitjet e rëndomta, autorët, thonë hetuesit kanë marrë vetëm paratë, duke lënë në banesë celularët apo bizhuteritë.

Ndërsa djalin e biznesmenit e kanë mbajtur peng deri në daljen kryesore të rrugës në formë sigurie që askush nuk do t’i ndjekë nga pas. Por referuar dëshmisë se biznesmenit Kelmendi, i cili u kercënua me armë dhe u lidh në banesën e tij nga tre persona të armatosur dhe maskuar policia, ka zbuluar një detaj. Karakteristikat trupore dhe dialekti në të folur nga autorët ka ngjashmëri me ate ç’ka kanë deklaruar punonjësit e sigurisë private, të cilëve një muaj më parë iu grabitën 7.5 milionë Lekë të reja të Drejtorisë së Transportit në Durrës nën kërcënimin e armëve.

Këto elemente, sipas policisë, i kanë rritur dyshimet që kemi të bëjmë me të njëjtin grup të strukturuar kriminal, i cili godet në drejtim të grabitjeve. Për të dy rastet, sqaron policia, grabitësit kanë pasur informacion të mëparshëm mbi lëvizjen e personave, por edhe mbi shumat e parave, ç’ka dyshon për të tjerë bashkëpunëtorë të implikuar./

abcnews.al