Kapet Elton Pikli, i pesti i bandës së Rinasit – TV KLAN

Kapet Elton Pikli, i pesti i bandës së Rinasit

I penduari Alkond Bengasi tregon emrat e grupit
Foto: Elton Pikli

Dëshmia e të penduarit Alkond Bengasi çoi në arrestimin e personit të pestë që dyshohet se mori pjesë në grabitjen e 6.5 milionë Eurove në pistën e Rinasit.

I prangosuri i fundit është Elton Pikli 32 vjeç nga Kruja. Policia thotë se e arrestoi atë mesnatën e së hënës pa dhënë më shumë detaje rreth aksionit, por burime i thanë televizionit Klan se i riu është kapur në tentativë për t’u larguar drejt Bullgarisë. Pikli dyshohet se është një nga 5 personat që hynë në aeroport me furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, ku ishte dhe Admir Murataj.

Personi kyç që ndihmoi policinë për zbardhjen e emrave të grupit ishte Alkond Bengasi. 34-vjeçarit nga Elbasani i është dhënë statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë dy ditë më parë, pasi nga dëshmia e tij është mundur të shkohet tek Klement Çala, organizatori i supergrabitjes dhe anëtarët e tjerë të bandës për të cilët ai kishte dijeni. Sipas burimeve nga Prokuroria, Bengasin e ka tradhëtuar një gjurmë gishti të cilën e kishte lënë në furgonin e grabitjes.

Nga dëshmia e tij dhënë deri tani është bërë i mundur të mësohet se si u modifikua furgoni me logon e hetimit në servisin e Eldi Çalës në Elbasan, vëllai i Klement Çalës. Gjithashtu ai ka qenë personi i cili ka dhënë dhe 3 emrat e tjerë, Saimir Çela, Renaldo Sula dhe Oltjon Veseli të arrestuar gjatë fundjavës së kaluar. Mbi dëshminë e Bengasit prokuroria dhe policia kanë arritur të mbledhin prova të tjera të cilat kanë provuar se personat e arrestuar deri tani në një mënyrë apo tjetër kanë marrë pjesë apo kanë pasur dijeni për grabitjen. Alkond Bengasi është njohur me masën e tij të sigurisë arrest me burg në Gjykatën e Krimeve të Rënda në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura. 34-vjeçari ka qenë i vetmi nga të arrestuarit që ka dalë para togave të zeza duke e ndarë nga pjesa tjetër.

Të prangosurit e tjerë pritet të njihen të mërkurën me masën e sigurisë. Veseli dyshohet se ka pasur rol kryesor në grabitje pasi dyshohet se ka marrë pjesë direkt në të. Prokuroria dhe policia ka dhe të tjerë persona të cilët janë shpallur në kërkim, por që identiteti i tyre nuk bëhet i ditur. Misteri më i madh për grupin hetimor është vendndodhja e parave, pasi deri tani zyrtarisht nuk është gjetur asnjë shumë.

Tv Klan

Kategori
KronikeLajmet KryesoreTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*