Policia dyshon për një person me precedent penal për grabitje

Autori i grabitjes së të Enjtes në zonën e Kombinatit, dyshohet të ketë marrë shumën prej 2 mln lekësh të rinj. Kështu ka deklaruar pronari i pikës së këmbimit valutor që ra pre e grabitjes. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë dyshohet se autori ka vepruar i vetëm. Fillimisht ka pritur tek lulishtja përballë biznesit dhe para së të bëhej mbyllja ka hyrë për të bërë grabitjen. Pas kryerjes së grabitjes ai është larguar rrugicave, duke përfituar nga errësira. Policia po punon me kamerat e sigurisë për identifikimin e autorit dhe nëse ka patur bashkëpunëtorë për t’u arratisur.

Burime për Klan News bëjnë me dije se autoritetet kanë dyshime tek një person me precedent të mëparshëm penal për grabitje. Por që ende nuk kanë mundur që të bien në gjurmët e tij.  Në pamjet e kamerave të sigurisë që u bënë publike nga hetuesit, shikohet autori i maskuar kur futet në ambientet pikës së këmbimit valutor dhe kryen grabitjen nën kërcënimin e një pistolete.

Grabitësi ka qenë i veshur me bluze të kuqe me kapuç, maskë në fytyrë, jelek jeshil dhe doreza. Ai nën kërcënimin e një arme që mbante në dorë ka neutralizuar punonjësit e exchange-it. Ai ka qenë agresiv duke goditur një prej punojësve që gjendej pranë sportelit me dorezën e pistoletës. Policia e Tiranës ka bërë publike pamje të autorit të maskuar duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e tij. Një shumë prej 5 mijë eurosh është vënë si shpërblim nga policia për këdo që jep informacion.

Klan News