SPAK: Akuza e provuar, bashkëpunuan si grup kriminal

Në një kohë që prokuroria ka kërkuar mbi 1 shekull burg në total për 7 autorët e dyshuar të grabitjes së 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit në prill të 2019-ës, njëri pas tjetrit të akuzuarit lexuan mbrojtjen këtë të hënë. Përpara gjykatës ata e konsideruan veten të pafajshëm.

Për avokatët Prokuroria nuk ka prova dhe e ka bazuar akuzën e saj vetëm në deklarimet e të arrestuarit Alkond Bengasit, i cili pavarësisht se në fillim bashkëpunoi me drejtësinë më pas deklaroi në Gjykatë se çdo gjë që kishte thënë e kishe bërë në kushte presioni.

Por teksa për të gjithë avokatët mungesa e provave ishte argumenti kryesor në mbrojtje, Prokuroria më herët ka dorëzuar në gjykatë verifikimet e bëra dëshmisë së Bengasit, përgjime ambientale të të dënuarve që shqetësohen për vitet e dënimit dhe vlerat monetare të sekuestruara.

Ndërkohë seanca u shty këtë të hënë për shkak të se avokati I dy vëllezërve Kelment dhe Eldi Çala, pretendoi se klientët e tij kishin qenë në grevë urie në ambientet e 41 Bis dhe nuk ka pasur mundësi të konsultohej për mbrojtjen duke kërkuar kohë.

Tv Klan