Tre muaj pas grabitjes së parave në pistën e Rinasit, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për të prangosur 3 nga autorët që janë ende në kërkim. Çdo person që ka informacion mbi vendndodhjen e Klement Çalës, vëllait të tij Eldi Çala dhe Talo Çelës do të shpërblehet me 10 mijë Euro.

Për këtë, policia ka vënë në dispozicion shumën e parave, duke iu garantuar anonimat të plotë e të sigurt. Nga grabitja e 9 Prillit të këtij viti deri tani janë vënë në pranga Ragip Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli, Saimir Çela dhe Alkond Bengasi. Dëshmia e këtij të fundit zbuloi grupin, pasi pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë.

Ndërsa më 15 Qershor të këtij viti policia vuri në pranga edhe Hasan Kanaçin, personin që akuzohet se informoi grabitësit nga brenda aeroportit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Kanaçit, u gjetën rreth 100 mijë Euro, që dyshohet se janë grabitur në pistën e Rinasit. Ditën kur ndodhi ngjarja, humbi jetën si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me policinë Admir Murataj, i cilësuar si një nga organizatorët e supergrabitjes.

Tv Klan