Personat që kryen grabitjen në rrugën “Ali Baushi” në Tiranë, ishin të veshur me uniforma policie.

Qytetari i grabitur, me inicialet A.D, rrëfeu në polici se ishin 4 persona që i morën një shumë të konsiderueshme parashë, nën kërcënimin e armëve.

Televizioni Klan mësoi se shuma ishte 70 mijë euro dhe jo 10 mijë euro, siç u raportua një ditë më parë zyrtarisht nga Policia e Tiranës.

I dëmtuar u tha hetuesve se “banda e policëve”, e kishte ndaluar me qëllimin për ta verifikuar dhe për ta kontrolluar për mjete të paligjshme.

Por sapo i janë afruar e kanë goditur me qytën e pistoletës në afërsi të syrit, duke i shkaktuar një dëmtim të lehtë.

Ai sapo kishte marrë paratë që i kishte dhënë borxh, para disa kohësh një të njohurit të tij, shtetasit me inicialet E. T.

Hetimet për ngjarjen i kanë kaluar sektorit të vjedhjeve me armë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe i dyshuari kryesor mbetet borxhliu që kishte dijeni për paratë, por nuk përjashtohen dhe pistat e tjera që kanë lidhje me biznesin, që i dëmtuari ka në Rrugën e Dibrës.

Tv Klan