Shpallen në kërkim 3 bashkëpunëtorët e tij

Një person është arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim për disa vjedhje të ndodhura në disa fshatra turistikë në jug të Shqipërisë.

“Gjatë operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit N. P., 42 vjeç, banues në Lushnjë. Si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit A. S., 46 vjeç dhe A.(H.) N., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe K. R., 36 vjeçe, banuese në Qeparo, Himarë”, thuhej në një njoftim të policisë.

42-vjeçari në bashkëpunim me 3 personat e tjerë të shpallur në kërkim dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve, konkretisht:

Më datë 31.07.2020, në fshatin Shën Vasil, dyshohet se këta shtetas kanë vjedhur me thyerje banesën e braktisur të shtetasit L. Q., vend në të cilin është gjetur një armë zjarri kallashnikov, e cila dyshohet të jetë e autorëve të mësipërm, pasi këta shtetas e përdornin këtë banesë si vendstrehim gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Më datë 07.09.2020, në Himarë, kanë vjedhur 2 motomjete në pronësi të shtetasve N. P. dhe T. P. Në të njëjtën ditë dyshohet se kanë vjedhur sendet personale të shtetasit maqedonas Z. T., në hotelin ku ai ishte akomoduar për pushime.

Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, kryesisht sende personale të personave të ndryshëm në Dhërmi të Himarës, për të cilat po punohet për dokumentimin e plotë të tyre.

Në përfundim të veprimeve, Policia ka sekuestruar disa nga sendet e vjedhura, si dhe sende që dyshohet se janë përdorur nga autorët për të kryer vjedhjet./tvklan.al