Senatori republikan me peshë, Lindsey Graham, parashikon se nëse demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve përpiqen të hapin procesin për të shkarkuar Presidentin Trump, presidenti do të fitojë zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm dhe republikanët do të fitojnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

Senatori Graham, aleat i presidentit Trump tha të dielën në emisionin Fox News Sunday se nëse Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi lejon hapjen e procesit që mund të çojë në shkarkimin e presidentit, do të ishte “vetëvrasje për partinë e saj, Demokraten”.

Rreth 35 demokratë dhe një republikan i vetëm në Dhomën e Përfaqësuesve me 435 anëtarë janë shprehur pro procesit për shkarkimin e presidentit, një proces që funksionon si çështje gjyqësore, por zhvillohet nga Kongresi për të arritur në përfundimin nëse presidenti ka penguar drejtësinë duke u përpjekur të kufizojë hetimet e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller.

Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët voton për të hapur procesin, Senati që kontrollohet nga republikanët nuk ka gjasa që të votojë për të larguar Presidentin Trump nga posti./VOA