Granatë në zyrën e kryetarit të bashkisë së Lushnjes

Granatë në zyrën e kryetarit të bashkisë së Lushnjes

10:34 31/12/2019

Fundi i vitit 2019 është shënuar nga një ngjarje e rëndë në Lushnje. Në zyrën e kryetarit të bashkisë, Fatos Tushe, shpërtheu një granatë, e cila la të plagosur atë dhe sekretaren Erisa Qalliu.

Policia është shprehur se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është ish-shoferi i tij, Gëzim Saraçi. Pasi ka lënë granatën në zyrën e ish-punëdhënësit të tij, Saraçi është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia po punon për kapjen e tij.

Dinamika e ngjarjes

Ka qenë ora 8:00 kur si çdo ditë kryetari i Bashkisë së Lushnjes paraqitet në punë. Në sheshin përballë institucionit që ai drejton është takuar ish-shoferin Gëzim Saraçi. Pasi të dy janë ngjitur lart në zyrën e tij ka nisur një debat.

Në ato momente në zyrë ka hyrë edhe sekretarja. Pas kësaj ish-shoferi ka lënë në tavolinë një granatë dore dhe është larguar me shpejtësi. Sapo ka dalë nga ndërtesa është dëgjuar shpërthimi.

Për pasojë u lënduan Tushe dhe Qalliu. Ata u dërguan fillimisht në spitalin e Lushnjes, por për shkak të lëndimeve u çuan më vonë në Spitalin e Traumës për ndihmë më të specializuar.

Gjendja shëndetësore e dy të lënduarve

Pasi u sollën në Tiranë, dy të plagosurit janë vizituar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ajo bëri të ditur se Tushe dhe Qalliu janë jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se dëmtime më të rënda ka pasur sekretarja e bashkisë me disa plagë në kraharor, duar dhe fytyrë. Ndërkohë kryetari i bashkisë së Lushnjes është dëmtuar në këmbë dhe brinjë.

Dyshimet e policisë

Gazetarja e Tv Klan, Anila Sefa, bëri të ditur se në qytetin e Lushnjes ka kohë që përflitet se mes kryebashkiakut dhe ish-shoferit ka kohë që ka një konflikt. Prandaj policia po heton në dy pista. E para është ajo e pushimit nga puna.

Saraçi ka qenë shofer i Fatos Tushes gjatë mandatit të parë dhe gjysmës së mandatit të dytë. Më vonë është pushuar nga puna. Arsyet e pushimit nga puna nuk dihen. Kjo ka prishur edhe marrëdhëniet miqësore që ata kishin. Së dyti sipas burimeve konfidenciale të gazetares palët kanë një borxh të vjetër mes njëri-tjetrit. /tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi