Tradita vieneze e ballos së fundvitit ka mbërritur për herë të dytë në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Këtë vit, ky projekt ka qenë më i konsoliduar sepse synon të bëjë të mundur themelimin e një tradite në vijim. Me qëllim që të tërheqë spektatorin dhe të dhurojë kënaqësi për elitën e Tiranës, këtë vit regjisori Nikolin Gurakuqi ka bërë disa ndryshime në skenografi dhe në mënyrën konceptuale.

Megjithatë, në vija të përgjithshme dhe këtë vit, kjo ballo në Tiranë ka ruajtur fizionominë e Grand Ballos në opera që u zhvillua për herë të parë në vitin 2003. Modeli i këtij spektakli është bazuar mbi traditën  e ballos së madhe vieneze, por ajo ka krijuar nje vijimësi më origjinale, ku rolin kryesor e kanë luajtur artistët shqiptarë.

Megjithatë, era vieneze është ndierë edhe në Tiranë, pasi ka mbërritur për të drejtuar orkestrën  e Teatrit të Operas dhe Baletit, dirigjenti austriak, profesor Peter Schmelzer. Balloja e madhe e Tiranës kushtuar festës së ndërrimit të viteve ka patur një numër të madh valltarësh, të cilët kanë ekzekutuar valset. Balerinët e Teatrit të Operas dhe Baletit janë drejtuar nga Agron Aliaj, ndërkohë që Akademia e Dansit është drejtuar nga Arian Sukniqi.

Të tjerë pjesëmarrës në spektakël kanë qenë solistët lirikë, si Mariana Leka, Edit Mihali, Etleva Golemi, e të tjerë, si dhe kori i Teatrit të Operas dhe Baletit. Balerinët kanë ekzekutuar valset më të bukura të Shtrausit, të cilat kanë krijuar aureolën e skenës dhe ashtu si në vitin e kaluar, publiku mori pjesë në vallëzime. Kjo Grand Ballo ishte një mbyllje e suksesshme e ambicieve skenike të artistëve, për të cilat janë hapur të gjitha dyert e teatrit të Teatrit të Operas dhe Baletit për vitin 2004 dhe i paraprijnë realizimeve më të mëdha dhe më të veçanta për vitin 2005./tvklan.al