Të famshmit po gjejnë mënyra nga më të ndryshme për t’ia ndryshuar sadopak rutinën të gjithëve që gjenden të izoluar. Ariana Grande dhe Justin Bieber kanë vendosur të bashkëpunojnë për një projekt muzikor që do të publikohet në datën 8 Maj.

“Stuck With U” titullohet kënga dhe të gjithë të ardhurat mbi këtë projekt do të shkojnë për personat që janë në vijat e parë të betejës kundër koronavirusit.

Justin Bieber dhe Ariana Gande e kanë bërë vetë me dije këtë lajm nëpërmjet një postimi në Instagram të cilët kanë shkruar: “Të ardhurat nga shitjet e këngës “Stuck With U” do të shkojnë për fondacionin e fëmijëve që do të  financojnë bursat e shkollave të  fëmijëve të punonjësve të kujdesit shëndetësor, teknikë mjekësorë të urgjencës, policë dhe zjarrfikës që shërbejnë në vijat e para gjatë pandemisë globale”.  

Menaxheri i këngëtarëve Scooter Braun ka deklaruar se ka për qëllim të tregojë mirënjohje për burrat dhe gratë në vijat e para të betejës kundër Covid-19.

Kujtojmë se javën e kaluar mbi 100 artistë performuan në një koncert prej gati 8 orësh live , të qujatur “Një Botë”.

Yjet e muzikës kënduan live nga shtëpitë e tyre  për të gjithë njerëzit në të gjithë botën. Eventi i kuruar nga Gaga, bëri bashkë emra të famshëm, duke filluar me legjendarët Rolling Stones, Paul Mçartney, Beyonce, Jennifer Lopez, Andrea Bocelli, Billie Eilish, Rita Ora etj.

Ata kënduan hite të pavdekshme muzikore në shenjë falenderimi për punonjësit e shëndetësisë në mbarë botën që po përballen me COVID-19.

Klan Plus