Shteti shqiptar ka mëshirë vetëm për burrat dhe të burgosur e jo për gratë. Kështu janë ankuar në prag të festës së fundvitit 59 të dënuara në burgun 325. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, ka uruar administratën e burgjeve e të dënuarit me  rastin e festave. Të dënuarat e 325-ës janë shprehur në takim se janë të kënaqura me kushtet, mundësitë për punësim dhe kualifikim. Por, në dy faljet e fundit të dhëna nga Presidenca ka konstatuar se shteti nuk ka menduar për të burgosurat gra, të cilat përtej hekurave i pret jo vetëm liria, por dhe fëmijë të vegjël, të ndëshkuar me fatin për të jetuar larg nënave.

E burgosur: “Ju lutem diçka për bashkimin me ta dhe pse jemi nëna kërkojmë nga Ministri, amnisti ose të vihet në fuqi gjysma e dënimit që t’u shkojmë sa më shpejt pranë.”

Fatmir Xhafaj: “Ka disa procedura, të cilat ju duhet t’i shfrytëzoni. I gjithë ky shqetësim që keni lidhur me faljen e fundit, mesa kuptova unë, vjen nga mosnjohja, nga mungesa e informacionit. Nuk ka absolutisht asnjë ndarje në burra dhe në gra, në meshkuj dhe në femra. Thjesht janë zbatuar disa proçedura. Ju nuk keni përfituar nga këto proçedura. Nuk jeni treguar aktive që të përfitoni nga këto proçedura. Gjithsesi, unë mendoj që do të ketë procedura gjatë 2005-ës, do të ketë të tjera mundësi nga të cilat mund të përfitoni në proçes. Natyrisht, ka gjithmonë disa kritere.”

Në oborrin e burgut, shumë prej vajzve dhe grave të ndëshkuara mundohen t’i shmangen kamerave, ndërsa dikush tjetër nxiton të urojë fëmijët e saj, të cilët prej 8 vitesh jetojnë larg.

Gazetarja: Keni familje, të afërm? Kujt do t’i uronit për Vit të Ri diçka?

E burgosur: “Mamit edhe fëmijëve. Kam 3 fëmijë.”

Gazetarja: Çfarë moshe i ke?

E burgosura: “Gocën e kam 17 vjeçe. Kam dy çuna, kam njërin 13 vjeç dhe tjetrin 14.”

E penduar për atë ç’ka ka bërë, Suela 19- vjeçare pret të kalojë ndërrim vitin e parë pas hekurave. Kjo është e rëndë për të, por vajza e di mirë se më e rëndë është data 31 për familjen e saj.

Suela: “Unë jam dënuar 3 vjet e 4 muaj. Tani kam bërë 1 vit e 4 muaj me shtesat, kuptohet, sepse në Janar kam hyrë në burg të këtij viti dhe më mbeten edhe 2 vjet të tjerë për të bërë.”

Gazetarja: Është kështu prag festash. Ju kujt do t’i kërkonit falje për diçka që keni bërë?

Suela: “Falje? Besoj se familjes sime. Sepse e ndjej që kam bërë një faj edhe vetëm familjes unë mund t’i kërkoj falje sepse i kam bërë që të vuajnë shumë.”

Dikush ka gabuar për shkak të moshës së re. Ndonjëra e detyruar nga rrethanat e jetës. Një  nga vajzat tregon se ka vrarë për hakmarrje, për të marrë hakun e babait të vrarë. Gratë e dënuara kanë kryesisht vepra të rënda, si vrasje, prandaj asnjëra prej tyre nuk mund të marrë leje të kalojë ndërrimin e viteve pranë familjes./tvklan.al