Humbën burrat gjatë luftës në Kosovë, tani merren me tregti

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, gratë e Krushës së Madhe humbën burrat e tyre të cilët u vranë nga forcat serbe. Me fëmijë jetimë, shtëpitë e djegura e të rrënuara ato u gjenden në një situatë dëshpëruese, por nuk u dorëzuan, dhimbjen e kthyen në forcë.

Fahrije Hoti, e cila ishte vetëm 28 vjeç kur humbi burrin dhe mbeti me fëmijët jetimë, morri iniciativën që bashkë me 12 gra të fshatit të nisin të gjenerojnë të ardhura përmes produkteve bujqësore. Ato nisën t’i konservonin produktet për t’i shitur fillimisht në Kosovë, pastaj në rajon për t’u zgjeruar edhe në Evropë.

Ky fshat është rindërtuar pikërisht nga puna e këtyre grave, ndërsa kooperativa e tyre është zgjeruar dhe pikërisht sot në ditën e gruas është hapur objekti i ri i kooperativës “Krusha”.

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka lobuar për realizimin e këtij projekti ku Komisioni Evropian ka financuar më shumë se gjysmën e projektit ndërsa pjesa tjetër është financuar nga gratë e Krushës dhe kompanitë private të koordinuara me ambasadën e Shqipërisë në Kosovë. Ndërsa në Prishtinë është mbajtur protestë me moton “Marshojmë kundër patriarkatit që vret”.

Klan News