Gratë e Orikumit kanë zgjedhur t’i dedikohen një mjeshtërie të veçantë, lënda e parë e së cilës gjendet në natyrën përrallore që ka kjo zonë. Vaji nga ullinjtë e famshëm të jugut shqiptar, mjalti i mbledhur direkt prej hojeve janë përbërësit që do donim të kishim sa herë mundohemi të krijojmë një përzjerje bio për trajtimin e lëkurës.

Zonjat e Orikumit janë trajnuar që këto produkte vendase, t’i përpunojnë në sapunë dhe kremëra pa asnjë lëndë konservuese.

Për programin “Jo vetëm modë”, në Tv Klan artizanja Flora Meçaj tregoi se ky projekt nisi si nga një qendër në Vlorë, për të trajnuar disa gra dhe për t’i punësuar ato.

Flora Meçaj: Ky projekt u nis nga një OJF, që është në qendër në Vlorë dhe quhet “Aulona”. Lindi si projekt i kësaj qendre për të trajnuar disa gra, për t’i punësuar, ose vetëpunësuar.

Orinda Huta: Pra gra që qëndronin në shtëpi?

Flora Meçaj: Po qëndronin në shtëpi dhe ishin të paangazhuara me ndonjë punë tjetër, përveç punëve të shtëpisë.

Orinda Huta: Pse zgjodhën sapunët dhe kremërat?

Flora Meçaj: Zgjodhën sapunët dhe kremërat, se këto janë pordhime bio dhe prejardhjen e kanë nga fshati. Të gjitha këto produkte dhe sapunë që janë prodhuar janë të gjitha me produktet e bimëve mjekësore. Ky kremi prodhohet nga dy gjëra bio, nga vaji i ullirit dhe nga dylli. Nëqoftëse këto nuk janë bio, kremi nuk lidhet si duhet.

Orinda Huta: Kthehemi pak në fillimet e këtij projekti, ishit 10 gra kurse tani jeni shkurtuar.

Flora Meçaj: Por ngeli në kuadrin e prodhimit të sapunit sepse nuk kishte treg për ta shitur atë. Këto mund të shiten, 1-2 ose 3 që mund të kërkojë diçka të tillë. Pa treg nuk bëhet asnjë gjë, mbetet në këtë kuadër./tvklan.al