Nisja për në Itali e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë është pritur me falenderimet e personaliteteve më të mëdha të shtetit fqinj. 

Kryeministri Conte, gazetari i njohur Bruno Vespa, politikanë dhe personalitete të tjera të rëndësishme italiane kanë përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare.

Giuseppe Conte ka shpërndarë në rrjetet sociale videon e kryeministrit Edi Rama teksa i drejtohet mjekëve dhe infermierëve para nisjes.

“Faleminderit”, shkruan Conte, ndërsa postimin e shoqëron me flamurin e kombëtar të Shqipërisë.

Këtë vendim të qeverisë shqiptare e ka përshëndetur edhe gazetari i njohur Bruno Vespa.

“Faleminderit Edi Ramës, një mik i madh i Italisë që më nderon me miqësinë e tij”, shkruan ai.

Edhe politikanët e lartë italianë e kanë përshëndetur këtë gjest në këtë moment të vështirë të mjekëve dhe infermierëve në Itali.

Anëtari i Senatit italian Tommaso Nannicini ka shpërndarë në rrjetet sociale momentin e nisjes së mjekëve dhe infermierëve ndërkohë që thotë se vendi i tij nuk ka për ta harruar kurrë këtë gjest.

Eurodeputeti Massimiliano Smeriglio nuk i ka kursyer fjalët e ngrohta për këtë gjest të Shqipërisë. Ai thotë se ky veprim solidariteti i Shqipërisë vjen në mes “të egoizmit të Europës”.

Smeriglio ka shpërndarë në rrjetet sociale fjalimin e kryeministrit Rama të cilin e quan historik. Smeriglio thotë që do të shkruajë një letër si eurodeputet për të falenderuar vendin tonë.

“Nuk do ta harrojmë gjestin dhe fjalët tuaja. Faleminderit vëllezërve dhe motrave shqiptare”, shkruan ai.

Edhe partia e Matteo Salvinit ka reaguar për këtë gjest të Shqipërisë duke cituar fjalët e kryeministri Rama.

Më gjerë janë ndalur edhe mediat e huaja. La Republica i ka kushtuar një artikull të veçantë.

“Ne nuk harrojmë, nuk mund të mos i tregojmë Italisë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk e braktisin kurrë një mik në vështirësi. Sot jemi të gjithë italianë. Italia duhet ta fitojë dhe do ta fitojë këtë luftë për ne, për Europën dhe për të gjithë botën”, kështu e nis e përditshmja italiane artikullin e saj duke cituar kryeministrin tonë.

Lajmin për dërgimin e ekipit shqiptar në Itali e ka publikuar edhe “Euronews”, që thotë se mjekët dhe infermierët do të shkojnë në Lombardi për të ndihmuar kolegët e tyre italianë./tvklan.al