Uashingtoni i interesuar të investojë në këtë vend

Çdo protestë e organizuar nga e majta greke përfundonte para selisë së ambasadës së Shteteve të Bashkuara, pamje të cilat kanë qenë të zakonshme për vite me radhë në Athinë.

Për dekada, grekët ishin populli me ndjenjat më të theksuara anti-amerikane në Bashkimin Europian. Por vitet e fundit kjo ka ndryshuar. Mbështetja politike dhe morale që Uashingtoni i dha Greqisë gjatë gjithë periudhës së krizës, por edhe pragmatizmi i Kryeministrit radikal të majtë Alexis Tsipras, ishin faktorët e këtij ndryshimi impresionues.

Kulmimi i realitetit të ri u shënua vitin e kaluar me pjesëmarrjen e SHBA si vendi i nderit, në panairin ndërkombëtar të Selanikut. Por edhe në edicionin e sivjetshëm që hapet në fundjavë, Shtetet e Bashkuara do të kenë një prani të fuqishme, siç deklaroi në Athinë ambasadori amerikan Goeffrey Pyatt.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin objektivin e Kryeministrit Mitsotakis që investimet amerikane të avancojnë jo vetëm me blerjen e obligacioneve, por që të kemi një mobilizim të vërtetë të biznesit”, theksoi ambasadori amerikan duke prezantuar programin e pjesëmarrjes së sivjetshme të SHBA në panairin e Selanikut.

Kryeministri i ri Kyriakos Mitsotakis ka një ftesë të hapur për t’u takuar në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Trump. Ndërsa Sekretari i Shtetit Pompeo vjen në Tetor në Athinë, për t’i kthyer vizitën homologut të tij grek, të cilin e priti vetëm pak ditë pas betimit të qeverisë së re greke.

Tv Klan