I dërguari i Trump publikoi videon e darkës me Vuçiç

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në fund të konferencës për shtyp, u premtoi përfaqësuesve të SHBA një darkë të mirë e sidomos të dërguarit të Presidentit amerikan, Richard Grenell, dhe një relaksim marrëdhëniesh, ndonëse ishte shprehur i pakënaqur me përjashtimin e tenistit, Novak Gjokoviç nga US Open, pasi siç tha nuk mund ta mundin.

“Të ruajmë miqësinë në mes të Serbisë dhe Amerikës, të investojmë në të dhe në paqen në rajon. Faleminderit, tani ne do të shkojmë në një darkë të bukur”.

Premtimi i Vuçiç duket se është realizuar. Vetë Grenell ka postuar në rrjetet sociale dy video ku duket duke darkuar me muzikë amerikane për Alabamën. “Një natë e mrekullueshme”, ka vlerësuar Grenell.  

Presidenti serb Vuçiç u ka bërë mysafirëve edhe dhurata, si arka me verë, kurse ata ia kanë kthyer me një libër për Shtëpinë e Bardhë. Delegacioni amerikan ka pasur edhe takime të tjera ku ka filluar hartimin e projekteve.  
“Ministria ka formuar një ekip që do të punojë 24 orë në ditë bashkë me ekipin e DFC pasi kemi gjëra të mëdha para nesh, jo vetëm autostradën Nish-Merdarë-Prishtinë, por edhe lidhjet hekurudhore dhe projektet rajonale”.  

Serbët e kanë vlerësuar si një rinisje marrëdhëniesh me SHBA-në faktin që DFC ka hapur zyrën pikërisht në Serbi.

Tv Klan