Thaçi e Hoti ndërpresin vizitën

Pasi Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti vendosi të mos marrë pjesë në takimin e 27 Qershorit, për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell përfaqësuesi special i Presidentit Trump njoftoi shtyrjen e këtij takimi. Përmes Twitter-it, ai shprehet se po shqyrton mundësinë e përcaktimit të një tjetër të afërt për takimin.

Pasi Thaçi anuloi pjesëmarrjen në takim pas publikimit të akuzave nga prokurori special për të dhe politikanë të tjerë të lartë, Grenell ftoi Hotin në Shtëpinë e Bardhë, por Kryeministri kosovar sqaroi përmes rrjeteve sociale pse nuk mund të merrte pjesë.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për t’u marrë me situatën”.

Para se të kthehej në Prishtinë, Hoti ka vijuar takimet e programuara që më parë në Bruksel, ku ka theksuar se pavarësisht situatës, për Kosovën nuk ka rrugë tjetër veç dialogut me Serbinë.

Për këtë çështje reagoi edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili e sheh si domosdoshmëri mbledhjen e gjithë faktorit politik të Kosovës për të diskutuar mbi situatën.

“Para se të takohemi me Vuçiçin, nevojitet të takohemi edhe njëherë mes vetes, të ulemi të gjithë bashkë e të bisedojmë, të gjejmë rrugë dhe zgjidhje të qëndrueshme. Të sigurojmë funksionimin e të gjitha institucioneve, sepse pa funksionimin e tyre është iluzore se mund të  ecet me marrëveshje” ka shkruar Mustafa në  Facebook.

Bashkëkryesuesi i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, Carl Bildt ka reaguar pas lajmit për anulimin e vizitës së Kryeministrit Hoti në Washington. Ka shkruar në Twitter se ky është fundi i takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë.

Tv Klan