Partia “Grekët e Pavarur” në Greqi, e ish-ministrit të Mbrojtjes Panos Kamenos, do të bojkotojë zgjedhjet e parakohshme. Vendimi vjen si pasojë e rezultatit tepër negativ që “Grekët e Pavarur” morën në zgjedhjet për në Parlamentin Europian. Mospjesëmarrja në zgjedhje është komunikuar nga kryetari Kamenos.

“Po hyjmë në një epokë të re në politikën greke, populli grek e ka shprehur mendimin. Ai ka votuar për ndryshime politike. E njoh fitoren e Mitsotakis dhe të partisë Demokracia e Re në zgjedhjet evropiane dhe sinqerisht shpresoj që të jetë në gjendje të sjellë ndryshimet politike për të cilat ka votuar populli grek”, tha Kamenos në një konferencë shtypi.

Ai shtoi se vendimi i tij është në favor të stabilitetit të vendit.

“Për këtë arsye, “Grekët e Pavarur” dhe unë vendosëm sot të shpallim që të mos marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen muajin e ardhshëm. Kemi dëgjuar zërin e popullit grek“, theksoi Kamenos duke deklaruar se do të vijojë të mbetet aktiv në angazhimin me shoqërinë civile.

Kryeministri Alexis Tsipras ka thërritur zgjedhjet e parakohshme pasi partia e tij nuk fitoi shumicën në zgjedhjet për Parlamentin Europian, ku triumfoi partia opozitare “Demokracia e Re” e Mitsotakis. /tvklan.al