Ishulli Naxos i Greqisë është një nga më të njohurit në Detin Egje jo vetëm si një destinacion turistik, por edhe për prodhimet e tij vendase pasi shumë banorë merren me bujqësi dhe blegtori. Por pronarët e hoteleve dhe fermerëve janë të shqetësuar për shkak të krizës së ujit në ishull.

Në pjesën më të madhe të Greqisë ka patur shumë pak reshje shiu duke e thelluar krizën. Teksa ishujt presin një numër të lartë turistësh kriza ka qenë më e rëndë, thonë zyrtarët, fermerët dhe shkencëtarët.

Mungesa e ujit është e madhe në Naxos, një ishull malor me 20,000 banorë pranë Mykonos. Dhjetëra mijëra turistë dynden në brigjet e saj çdo ditë gjatë verës.

Pronari i hotelit Vangelis Katsaras thotë  se vitet e fundit ka patur problem me mungesën e ujit, por ky vit ka qenë më i vështirë se vitet e tjera.

“Vitet e fundit ka pasur një problem me mungesën e ujit dhe veçanërisht këtë vit po e përjetojmë më intensivisht”.

Ai ka marrë masa në hotelin e tij për të kursyer ujin dhe merr ujë nga një pus i vjetër që dikur përdorej në zonën ku është ndërtuar hoteli për vaditur pemët.

“Pusi ka qenë këtu që nga koha e stërgjyshërve dhe stërgjysheve tona, pasi dikur ka qenë  një arë me patate. Më pas ishte e prindërve tanë dhe kur na u dha neve, brezit të tretë, e kthyem në hotel dhe është mirë që pusi ishte ende këtu për t’u përdorur si zgjidhje alternative në kohë të vështira si p.sh. si  ajo e problemit të  mungesës së ujit.”

Pronari i hotelit shpjegon disa nga masat e marra për t’i dhënë zgjidhje krizës së ujit.

“Vitet e fundit jemi kujdesur që të kursejmë ujin me metoda të ndryshme, me sistem ujitjeje të bimëve, me sisteme kursimi të ujit në dushe të banjove dhe tualete në dhoma, me fjalë të tjera kemi zbatuar çdo gjë që redukton përdorimin e ujit. ”

Dy rezervuarët e Naxosit mbajnë 220,000 metra kub ujë të pijshëm, një e treta e sasisë së  vitit të kaluar.

Kryebashkiaku i Naxos Dimitris Lianos tha se mungesa për vitin 2024 ka qenë e madhe.

“Ka pasur një mungesë intensive të reshjeve, në të gjithë Mesdheun dhe, veçanërisht në Naxos, rezervuarët tanë janë bosh. Ne konstatuam se kishte një mungesë prej 650,000 metra kub për vitin 2024. Ne morëm të gjitha veprimet e nevojshme sa më shpejt dhe  nisëm të  merrnim me qira njësitë e shkripëzimit  të ujit të detut pas janarit për të qenë në gjendje të mbulonin nevojat për vitin aktual.”

Autoritetet kanë arritur të marrin me qira tre njësi të shkripëzimit që do të  bëjnë ujin e detit të sigurt për t’u pirë dhe sipas kryetarit të bashkisë përmes këtij vendimi pritet që të mbulohet mungesa e ujit të pijshëm për shtëpitë, hotelet dhe pishinat.

“Ne besojmë se do të ketë disa probleme, jo të përditshme, por në disa zona, në disa qarqe më të larta, por besojmë se nuk do të ketë probleme serioze siç janë ndërprerjet e ujit në fshatra. Besojmë se gjërat do të shkojnë mirë dhe për këtë kemi marrë të gjitha këto masa.”

Kryetari i bashkisë shpjegon se kriza e ujit nuk do të prekë vetëm pronarët e hoteleve, por edhe fermerët.

“Naksosi është një ishull që ka prodhim si në sektorin bujqësor ashtu edhe në atë blegtoral dhe mungesa e ujit krijon shumë probleme në këtë kategori të aktivitetit ekonomik. Ka rajone, si në Livadi, ku sistemet private të ujitjes së fermerëve që përdoren për prodhim kanë rënë në nivele shumë të ulëta dhe ky është një kërcënim dhe komunitetet lokale janë shumë të shqetësuar se do të mbeten pa ujë për të tretin vit”.

Fermeri Stelios Zacharatos nuk kultivoi misër këtë vit për shkak të mungesës së reshjeve, duke e detyruar atë të ushqejë lopët e tij me foragjere të thata, gjë që ka reduktuar prodhimin e qumështit të lopës. Nëse mungesa e ujit vazhdon, ai  thotë se do të duhet të lërë punën e tij .

“E gjithë puna ime ka të bëjë me ujin, më shqetëson 100 për qind nëse nuk ka shi unë nuk mund të bëj asgjë, nuk mund t’i ushqej lopët e mia. Uji është baza për gjithçka, gjithçka fillon me ujin.”

“Nëse kjo vazhdon, ne do ta braktisim bagëtinë. Ndodhi këtë vit, po sikur të përsëritet vitin tjetër? Çfarë do të bëjmë?”

Stelios Vathrakokoilis rrit patatet e famshme të Naxos, të cilat janë të dashura në Greqi për shijen e tyre të veçantë. Prodhimi i patateve do të përgjysmohet këtë vit për shkak se për vaditjen është përdorur ujë jo i cilësisë së mirë.

“Ne u detyruam të përdornim ujin, cilësia e të cilit ishte shumë afër ujit të detit dhe si pasojë prodhimi i patateve ra dhe nuk do të marrim prodhimin që na duhet. Në vitet e tjera, në një vit normal, në kushte normale atmosferike, me ujë të cilësisë së mirë, prodhimi ishte nga tre e gjysmë në katër ton ndërsa këtë vit do të jetë nga 1.5 në 1.7 ton”.

Ai tha se është i zhgënjyer që autoritetet nuk i kanë parashikuar rreziqet dhe kanë marrë masa më të përhershme tani që kushtet e pazakonta të motit janë bërë një fenomen i rregullt.

“Zhgënjim i madh. Ne njerëzit nuk ia dolëm të parashikonim se ndryshimi i klimës do të na prekte edhe ne, si pjesa tjetër e botës, dhe nëse vazhdon kështu, na ndihmoftë Virgjëresha Mari, kjo është gjithçka që mund të them.”

Më në jug, në ishullin Karpathos, autoritetet greke kanë vendosur kufizime për mbushjen e pishinave, ndërsa në ishullin verior të Thasos, zyrtarët po kërkojnë të marrin me qira një njësi shkripëzimi nga një kompani private që kthen ujin e detit në të të pijshëm.

Vendet në të gjithë Mesdheun, duke përfshirë Spanjën dhe Italinë, po kërkojnë mënyra për të zgjidhur krizën e ujit duke përdorur shkripëzimin, por furnizuesit thanë se makineritë për procesin e shkripëzimit këtë verë nuk plotësojnë dot nevojat  për shkak të kërkesës në rritje.

Miliona turistë vizitojnë Greqinë çdo vit, por ndikimet e ndryshimeve klimatike, duke përfshirë temperaturat më të larta, reshjet e paqëndrueshme dhe zjarret kërcënojnë të ardhmen e të vendit.

Ky vit është shumë i vështirë. Pas dimrit më të ngrohtë në histori, zjarret filluan jashtëzakonisht herët, disa ranë në zonat ku normalisht do të duhej të kishte borë.

Ekspertët e klimës kanë frikë se më e keqja nuk ka ardhur ende, duke thënë se kur efektet e ndryshime klimatike të bëhen më të dukshme do të jetë tepër vonë për të marrë masa.

Klan News