Greqi – Turqi, tensione për emigrantët

Greqi – Turqi, tensione për emigrantët

12:25 10/08/2019

Athina kërkon ndihmën e BE-së

Sërish tensione mes Greqisë dhe Turqisë. Athina i bëri thirrje BE-së t’i ushtrojë më shumë trysni Ankarasë në zbatimin e marrëveshjes për rikthimin e emigrantëve që nuk përmbushin kushtet për azil.

Ditët e fundit është shënuar rritje e fluksit të emigrantëve. Autoritetet lokale në ishujt kufitarë me Turqinë ankohen se nuk kanë kapacitetet e mjaftueshme për të pritur qindra njerëz që mbërrijnë nga brigjet turke.

Situata paraqitet më dramatike në një nga kampet e ishullit Lesbos, ku janë akomoduar 7.500 persona, në një kohë kur kampi ka hapësirë për vetëm 3 mijë.

E përditshmja franceze Le Figaro, shkruan se në Lesbos numri i emigrantëve është më i madh se ai i turistëve.

Kushtet e këqija të jetesës dhe pritja me vite për të marrë përgjigjen e aplikimit të tyre, kanë shkaktuar mjaft herë incidente të dhunshme, ndërsa nuk kanë munguar edhe përplasjet e provokuara nga grupime ekstremiste vendase.

Në jo pak raste rruga e refugjatëve për të mbërritur në një ishull grek mbart shumë rreziqe, madje edhe vdekjeprurëse.

Tragjedia e fundit ndodhi në mesin e Qershorit, kur shtatë refugjatë, mes të cilëve dy fëmijë, humbën jetën kur skafi që po i sillte në Greqi u mbyt në afërsi të Mitilinit. Një tjetër tragjedi u shmang në orët e para të së premtes. Policia bregdetare greke dhe patrullat e Frontex, shpëtuan 85 emigrantë, kur dy skafet e tyre u përmbysën.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT