Një vajzë 4-vjeçare shqiptare është mbytur një ditë më parë në pishinën e një hoteli në Naxos të Greqisë. Tragjedia ndodhi në hotelin ku punonte mamaja e vogëlushes, e cila e kishte marrë me vete pasi nuk kishte ku ta linte.

Prindërit e 4-vjeçares kanë folur për emisionin “Tatiana Live” në një televizion grek, duke shpjeguar si ndodhi ngjarja.

“U largua pak nga mua. Nuk arrita ta kapja. Nuk e kuptova, shkova ta merrja. Nuk e dua më jetën time”,

ka thënë mamaja e 4-vjeçares.

“Kisha shkuar për të pastruar disa dhoma, kurse vajza po vraponte dhe u rrëzua në pishinë. Nuk ishte askush që ta ndihmonte”,

tregon Danieli, babai i vogëlushes shqiptare.

Sipas të atit, vajzën e nxorri nga pishina një person tjetër që punonte në hotel. Ai thotë se lajmëruan ndihmën e shpejtë, por ambulanca u vonua. Më pas shkuan në qendrën shëndetësore, tregon Danieli, dhe aty u thanë se do të lajmëronin një helikopter për ta transportuar sepse vajza kishte ende puls. Por, ai shton se këtë ja thanë për ta mbajtur me shpresa të rreme.

“Ëngjëlli im, vetëm atë kisha. Zoti ma dha dhe Zoti ma mori, nuk e di se si. Unë jam shqiptar dhe prej 20 vitesh jetoj këtu, në këtë fshat. Më duan të gjithë grekët këtu dhe nuk ka rëndësi që jam shqiptar. Të gjithë më duan, janë njerëz të mirë këtu në Naxos”

, thotë Danieli.

/tvklan.al