Ulje taksash dhe pagesa kontributesh për të përballuar krizën

Ndihmë financiare prej 800 Eurosh për punonjësit që janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, pezullim të taksave për pagat dhe të pagesave për sigurimet shoqërore.

Janë këto masat kryesore të ndërmarra nga qeveria greke për të luftuar recesionin ekonomik që po shkakton pandemia.

Paketa arrin një vlerë të përgjithshme prej 3.8 miliardë Eurosh. Ministri grek për Zhvillimin dhe Investimet tha se duke nisur nga fillimi i Prillit mbi 500 mijë punonjës do të marrin pagesën prej 800 Eurosh në muaj.

Ata janë të gjithë të punësuar në rreth 200 mijë biznese private, të cilët kanë pezulluar përkohësisht kontratat e punës, pasi kanë ndalur aktivitetin për shkak të pandemisë.

Paketa ka parashikuar 400 milionë Euro për këto pagesa. Shteti grek do të mbulojë të gjitha sigurimet shoqërore, pensionet, nevojat shëndetësore mbi bazën e pagës të secilit. 

Qeveria vendosi po ashtu të ulë në 6 % tatimin mbi vlerën e shtuar për produktet që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ku bëjnë pjesë maskat, sapunët, detergjentët, disinfektantët, etj.

Masat e reja parashikojnë po ashtu subvencionimin e normës së interesit për kredinë e bizneseve për të paktën 3 muaj për të gjithë sektorët që preken drejtpërdrejt nga koronavirusi.

Edhe vende të tjera të botës kanë marrë masa në ndihmë të ekonomisë në kushtet e pandemisë. Qeveria gjermane ka planifikuar një paketë ndihme për punonjësit dhe bizneset prej 40 miliardë Eurosh.

32 herë më e madhe është paketa e miratuar nga Senati amerikan që kap vlerën e 1.3 triliardë Dollarëve.

Në Shqipëri, bizneset, ekspertët e ekonomisë dhe opozita i kanë kërkuar qeverisë të ndërmarrë masa të ngjashme, duke i bërë edhe propozime konkrete. Kryeministri ka premtuar një paketë, e cila nuk është bërë publike deri tani.

Tv Klan