Në kohën kur në pikat kufitare me Greqinë situata është alarmante me radhë kilometrike të emigrantëve shqiptarë nga qeveria greke vijnë sot akuza ndaj autoriteteve tona shëndetësore se kanë lejuar një “industri” të testeve të rreme negative në Shqipëri.

Deklarata e ashpër vjen nga zv/ministri për Mbrojtjen Civile, Nikos Hardalias, teksa përsëriti kërkesën që udhëtarët që kalojnë pikat kufitare greke të paraqesin dokumentin e përkthyer në gjuhën greke të një testi të kontrollit molekular negativ testi PCR.

Madje Hardalias tha se kishte dalë në përfundimin se në Shqipëri po realizohen teste të pabesueshme edhe pas kontakteve dhe shkëmbimit të informacionit me homologët e vendeve të tjera të Ballkanit.

“Testet e vetme që janë të vlefshme dhe të pranueshme për ne do të jenë vetëm ato të lëshuara nga Instituti Shtetëror i Shëndetit Publik i Tiranës. Nuk do të pranohen nga autoritetet tona kufitare dokumentet e testimeve për Covid-19 që tashmë janë lëshuar nga burime të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, pasi konsiderohen si teste plotësisht të falsifikuara. Ato janë njësi shëndetësore që nuk kanë mundësinë e ekzaminimeve efektive për COVID-19”, tha ai.

Me hapjen e kufijve për turistët e huaj Greqia po shënon çdo ditë rritje të numrit të të vdekurve nga Covid-19 dhe të të infektuarve.

Klan Plus