Infektimet shënojnë rritje në disa vende të BE

Greqia është në valën e tretë të përhapjes së koronavirusit. 24 orëshi i fundit shënoi 2 702 infektime ditore, rekord për këtë vit, që renditet ndër nivelet më të larta të gjithë pandemisë së koronavirusit.

Nisur nga përkeqësimi i situatës në spitale, qeveria greke shpalli zgjatjen e masave bllokuese deri më 16 Mars në rajonin e Atikës, ndër më të populluarit në vend ku bën pjesë edhe Athina. Qytetarëve do t’u lejohet të lëvizin në një rreze prej jo më shumë se 2 kilometrash nga vendbanimi dhe duhet të marrin leje me SMS për të dalë.

Greqia është një tjetër rast që tregon se infektimet në vendet e Bashkimit Europian po rriten sërish dhe se kontinenti ndodhet përballë një vale të tretë përhapjeje të koronavirusit. Këtë e paralajmëroi edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Infektimet ditore në Gjermani kapërcyen 10 mijëshin për të dytë që prej 25 Shkurtit, ku po ashtu po shfaqen shenja të shtimit të rasteve me lehtësimin e masave anti-Covid. Të larta vijojnë të jenë infektimet edhe në Itali. Franca vijon të ketë shifrat më të larta të infektimeve në kontinent dhe qeveria pritet të vendosë për një tjetër ashpërsim masash.

Tv Klan