Do të vaksinohen me detyrim mjekët dhe infermierët

Greqia dhe Franca hedhin hapin e parë drejt vaksinimit të detyrueshëm. Kryeministri grek Kirjakos Mitsotakis njoftoi se mjekët dhe infermierët duhet të vaksinohen me detyrim dhe plotësisht, deri më 1 Shtator. Në të kundërt do të pezullohen nga puna. Vaksinimin e detyrueshëm, jo vetëm për mjekët dhe infermierët por edhe për punonjësit e shërbimeve të përkujdesjes si azilet, urdhëroi edhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili vendosi si afat përfundimtar për përmbylljen e këtij procesi 15 Shtatorin.

Krerët e dy vendeve njoftuan kthimin në fuqi të gjendjes së emergjencës ndaj pandemisë, teksa shifrat e infektimeve u janë kthyer tendencave rritëse prej qarkullimit të variantit Delta. Si në Greqi ashtu edhe në Francë, nga Gushti do të nisë të lejohet hyrja në bare, restorante, kinema e vende me prani të madhe njerëzish, vetëm e personave që kanë certifikatë vaksinimi.

Edhe në Itali, pritet të rikthehen masat kufizuese në të paktën 4 rajone, Kampanjë, Marke, Abruco e Siçili, që do të hyjnë në hartën e zonave të verdha, kategoria e tretë e rrezikut, ku më e larta është e kuqja. Në drejtim të kundërt me Europën ecën Britania e Madhe ku pavarësisht niveleve të rekord të infektimeve ditore, kryeministri Boris Johnson tha se nuk do të tërhiqet nga plani për heqjen e plotë të kufizimeve më 19 Korrik.

Tv Klan