Greqia dhe Turqia takohen në Stamboll, më pas në Tiranë



Greqia dhe Turqia takohen në Stamboll, më pas në Tiranë

00:11 12/01/2021

Çavushoglu: Ftesa nga Kryeministri shqiptar Edi Rama

Turqia dhe Greqia hedhin një hap të rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve. Grupet teknike negociatore të të dyja vendeve do të takohen për raundin e 61-të të bisedimeve më 25 Janar në Stamboll pas ftesës së qeverisë turke si vend pritës, ftese e cila u pranua nga Athina.

Pas këtij takimi mësohet se ministrat e jashtëm të Turqisë dhe Greqisë do të ulen sërish në tryezë, por këtë herë në Tiranë. Ishte ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çvushollu, që e ftoi homologun grek Nikos Dendias të takoheshin në kryeqytetin shqiptar për të dialoguar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi zonën ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor.

Gjatë një konference për shtyp zhvilluar këtë të Hënë në Ankara, Çavushollu tregoi se ofertën për një takim në Tiranë ia kishte bërë Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës javën e kaluar në Turqi.

“Kryeministri i Shqipërisë, i nderuari Edi Rama ndërmori nismën për të na mbledhur në Tiranë mua dhe Dendiasin. Pas takimit të nivelit teknik, me ftesë të Edi Ramës, do të shkoj përsëri në Tiranë ku jam i gatshëm të takohem aty me Dendiasin”.

Nuk vonoi reagimi i Ministrisë së Jashtme greke ku përmes një komunikate për shtyp, thuhet se zgjidhja për problemet mes dy vendeve duhet të arrihet në bazë të ligjit ndërkombëtar për përcaktimin e kufijve të zonave ekskluzive ekonomike dhe shelfit kontinental.

I pyetur për rinisjen e bisedimeve me Greqinë gjatë një vizite në Portugali, kryeministri Qiriakos Mitsotaqis tha se mjaft luajtën si burra të mirë, por të ulen në dialog duke theksuar se 2021 mund te jetë një vit i mirë për marrëdhëniet greko turke në Egje.

Takimi i fundit mes 2 vendeve ishte mbajtur në Mars 2016. Rinisja e bisedimeve vjen teksa në parlamentin grek ka mbërritur drafti i qeverisë për zgjerimin e hapësirës territoriale detare në 12 milje që do të shtrohet për miratim më 19 Janar.

Tv Klan






Të ngjashme