Infektologu grek: Ul me 80% rrezikun e infektimit nga koronavirusi

Vaksina BCG kundër tuberkulozit mund të ulë deri në 80% rrezikun e infektimit nga COVID-19. I këtij mendimi është profesori grek për sëmundjet infektive dhe patologjitë pranë spitalit të Atikës, Evangelos Giamarelos.

Me kërkesë të një ekipi shkencëtarësh të drejtuar prej tij, Agjencia Kombëtare greke e Barnave do të nisë më 1 qershor testet tek njerëzit për të provuar se sa efektive është vaksina kundër tuberkulozit në mbrojtjen ndaj COVID-19.

Për mediat greke, Giamarelos është shprehur: “Teksa nuk ka një vaksinë të veçantë, zhvillimi i imunitetit kolektiv mund të arrihet me vaksina që krijojnë një mburojë të përgjithshme, siç është vaksina kundër tuberkulozit”.

Profesori grek thotë se shumë raporte shkencore kanë treguar se në vende të ndryshme të botës, ku vaksina BCG kundër tuberkulozit përdoret për imunizimin e popullatës, ka pasur nivele të ulëta infektimi me COVID-19.

Kjo është edhe arsyeja pse autoritetet shëndetësore greke kanë pranuar të kryejnë testimin e kësaj vaksine tek qytetarët e tyre. Prova do të kryet tek 2500 vullnetarë.

Rezultatet e para pritet të dalin në fund të shtatorit dhe nëse janë pozitive pritet të nisë menjëherë vaksinimi i gjithë popullatës, me prioritet të moshuarit.

Tv Klan