Turqia skeptike për Shqipërinë: Sugjeron që në Hagë të paraqitet me protokollin e Firencës të vitit 1925

Drejtoresha e Institutit turk për Ballkanin Gözde Kiliç Yaşin thekson se pas deklaratës triumfale të kryediplomatit Niko Dendias në Tiranë, duket se Greqia e shikon Shqipërinë si një llokmë bakllavaje!

“Unë mendoj se ata e shohin Shqipërinë si një “zgjidhje të lehtë”. Ndoshta autoritetet shqiptare nuk e dinë se pikëpamjet e vendeve të ndryshme përfaqësohen në Gjykatën e Drejtësisë përmes gjyqtarëve që ata këto shtete kane caktuar, domethënë, në fund të fundit atje politika është më efektive se drejtësia”. 

Studiuesja e njohur turke nënvizon sesi Haga do të trajtojë ishujt e vegjël dhe shkëmbinjtë grekë përreth Korfuzit, pasi Greqia bëri lëshime serioze në pretendimet e saj në marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin dhe iu afrua dispozitave të ligjit ndërkombëtar. 

“Çështja më e rëndësishme për t’u diskutuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë nëse ishujve dhe shkëmbinjtë grekë do t’u japë juridiksion në përcaktimin e kufirit detar. Në marrëveshjen e anuluar të vitit 2009, matja e linjës mesatare fillonte nga bregdeti shqiptar, ndërsa për Greqinë filloi nga ishulli më i afërt me Shqipërinë. Shkëmbi Barketa në ngushticën e Ksamilit u përdor për të përcaktuar vijën bazë. Kjo është në kundërshtim me Konventën e vitit 1982 mbi Ligjin e Detit sipas të cilës Barketa nuk mund të konsiderohet si një ishull dhe të merret parasysh në llogaritje sepse ai është thjesht një shkëmb që përmbytet nga baticat. Shqipëria duhet të shkojë në Hagë duke paraqitur me Protokollin e Firences të nënshkruar në 27 Janar 1925 që ka përcaktuar kufirin detar dhe tokësor mes dy shteteve. Deri më sot, të dy shtetet e kanë respektuar këtë kufi”. 

Zonja Yasin shprehet se përfitimi për Greqinë është se ajo po shkon përpara Gjykatës së Drejtësisë ne Hage e kufizuar vetëm në çështjen e kufirit detar me Shqipërinë. Përndryshe sipas saj ekzistojnë një sërë problemesh që shteti helen as nuk dëshiron t’i përmendë, siç janë pakica shqiptare në Greqi, feja, gjuha dhe të drejtat kulturore të kësaj pakice, gjenocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, të cilat nuk janë zgjidhur ende mes dy vendeve.

“Greqia publikoi një hartë tenderimi në vitin 2014, sikur marrëveshja e vitit 2009 me Shqipërinë të ishte në fuqi, përfshirë zonat detare që kjo marrëveshje i dha Greqisë. Dy nga njëzet rajonet në hartë, përkatësisht zona e parë dhe e katërt, ishin rajonet detare të Shqipërisë, të cilat shfaqën edhe fushat e naftës që ju tenderuan kompanive ndërkombëtare të naftës si BP, Exon Mobil, Chevron, Stat Oil me një fitim të pritur prej 20 miliardë eurosh. Nëse dy palë kanë pretendime të hapura dhe janë në konflikt në ndonjë rajon, as prej tyre nuk mund të shpallë një tender ndërkombëtarë shpim-kërkimi dhe të ftojë kompani të huaja të vijnë në një rajon të kontestuar”. 

Klan Plus