Zëdhënësi i qeverisë: Shqipëria të respektojë shtetin ligjor

Ndonëse jo zyrtarisht, zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis ka lënë të kuptohet se ftesa e munguar për kryeministrin Edi Rama në darkën e thirrur nga kryeministri grek Qiriakos Mitsotaqis është pasojë e qëndrimeve për çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Gjatë një interviste në televizionin grek SKAI ai është shprehur se Shqipëria duhet të respektojë rregullat bazë të shtetit ligjor dhe se Beleri duhet të betohet.

“Qeveria greke me një sërë ndërhyrjesh të kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Fredi Beleri është një kryetar bashkie i zgjedhur ligjërisht, i cili duhet të betohet. Shqipëria duhet të respektojë rregullat bazë të shtetit ligjor dhe ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas për këtë”, ka thënë ai.

Kryeministri grek ka thirrur ditën e nesërme një takim informal në Athinë me liderët e Ballkanit Perëndimor, por ku do të mungojë Shqipëria.

Kjo pasi ftesa për vendin tonë i ka ardhur presidentit Bajram Begaj, por ky i fundit nuk do të marrë pjesë për shkak të një axhende të përcaktuar më parë.

Klan News