Mitsotakis: Rikthejmë normalitetin në vend

Greqia vendosi të heqë kontrollin në qarkullimin e kapitaleve. Lajmi u bë i ditur nga vetë kryeministri Kiriakos Micotaqis, gjatë një fjale në parlamentin helen.

“Në bashkëpunim me Bankën e Greqisë rikthejmë normalietin e plotë në qarkullimin e kapitaleve. Capital controls, nga sot, i përkasin të kaluarës”, tha Mitsotaqis.

Kryeministri grek shtoi se ky ishte një angazhim programatik i konservatorëve, që bëhet realitet para afatit të caktuar. Sipas Micotaqisit, vendimi për heqjen e kontrollit të kapitaleve, hap një cikël të ri optimizmi për vendin.

Analistët vlerësojnë se normalizimi i lëvizjes së kapitaleve do të ndihmojë rritjen e besimit, tërheqjen e investimeve dhe do të shtojë aftësinë huamarëse të ekonomisë greke.

Kontrolli në qarkullimin e kapitaleve u vendos nga qeveria Tsipas në qershor 2015, kur dështuan negociatat me kreditorët për t’i bërë një zgjatje pa kushte të reja programit të shpëtimit të Greqisë.

Me vendosjen e këtyre caqeve, qytetarët për muaj me radhë tërhiqnin nga llogaritë e tyre bankare vetëm 60 Euro në ditë. Kufizimet nisën të çliroheshin gradualisht pas vitit 2017.

Tv Klan