Duke filluar nga e hëna, Greqia do të heqë kufizimet e karantinës për vizitorët pa koronavirus edhe nga disa vende të tjera, duke përfshirë Australinë dhe Rusinë.

Vendimi i Ministrisë së Transportit vjen në prag të hapjes zyrtare për turistët në 15 maj.

Ndryshimi, vjen ndërkohë që Greqia kaloi pragun e 10,000 vdekjeve nga COVID-19 dhe kur vendi vendosi këtë muaj për të hequr kufizimet për vizitorët nga vendet e BE, Shtetet e Bashkuara dhe Britania, midis të tjerash.

Vizitorët nga këto vende lejohen të hyjnë në Greqi pa kaluar një javë në karantinë për sa kohë që janë vaksinuar ose kanë testuar negativë për koronavirusin.

Greqia, e cila doli nga vala e parë e pandemisë vitin e kaluar në gjendje shumë më të mirë se shumë vende të tjera në Evropë, është goditur rëndë muajt e fundit, me rritjen e numrit të pacientëve që i kanë vënë spitalet nën një tendosje të madhe në shumë zona.

Megjithatë, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha javën e kaluar se pandemia po tregonte shenja stabilizimi dhe konfirmoi planet për hapjen më 15 maj të sektorit jetik të turizmit, i cili përbën një të pestën e prodhimit ekonomik.

Autoritetet raportuan të dielën 1,400 raste të reja infektimesh dhe 57 vdekje nga COVID-19. Deri tani në Greqi pandemia ka shkaktuar një total prej 333,129 infeksionesh dhe 10,007 vdekje./VOA