Qeveria synon të ndjekë shembullin e Britanisë dhe Izraelit

Përparësi absolute për kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe qeverinë është shpejtimi i fushatës së vaksinimit kundër Covid-19, pavarësisht hijeve që kanë mbuluar procesin pas problemeve me vaksinat e AstraZeneca dhe Johnson&Johnson.

Qeveria synon të ngrejë me shpejtësi murin e imunitetit, ngjashëm me rastin e Izraelit dhe Britanisë.

Ndonëse vaksinimi ka filluar të japë efekt, gjendja paraqitet sërish e vështirë në qendrat e mëdha urbane të Athinë dhe Selanikut, ku për të ndihmuar sektorin publik janë vënë në gatishmëri edhe spitalet private. Shqetësim mbetet gjendja në zonat periferike ku shtretërit spitalorë janë edhe më të paktë.

Të dielën Greqia konfirmoi 2 411 raste të reja me COVID-19 dhe 67 viktima. Gjithsej 837pacientë janë të intibuar të moshës nga 68 vjeç deri në 85 vjeç. Gjatë fundjavës janë pranuar në spitale 507 pacientë.

Suksesi i vaksinimit i jep shpresa qeverisë që të fillojë nga java e ardhshme lehtësimin gradual të masave. Muajin e fundit ka pasur rënie të pozitivitetit, ndërsa është rritur ndjeshëm testimi, duke përfshirë këtu testet molekulare, të shpejta dhe ato individuale.

Nga kjo javë testet individuale, pra ato që kryhen vetë pa praninë e mjekut do të shpërndahen tek punonjësit e administratës, shkollave, sektorit të shërbimeve, hoteleve, bareve e restoranteve, punonjësit e bankave dhe ata të transportit.

Në lidhje me kufizimet, qeveria pritet të marrë një vendim të premten bazuar në të dhënat epidemiologjike, ndonëse presioni është i lartë para festës së Pashkës.

Klan News