Lejohen të kalojnë vetëm punëtorët sezonalë 

Edhe pse autoritetet greke dhe ato shqiptare njoftuan një ditë më parë fillimin e lëvizjes për të gjitha kategoritë e udhëtarëve drejt Greqisë, këtë të shtune pika doganore e Kapshticës ka qenë e mbyllur.

Autoritetet e kufirit pohuan se ishin njoftuar nga pala greke mbrëmjen e së premtes, që vendimi për hapjen e kufirit do të hynte në fuqi pas datës 28 Qershor.

Deri në datën 28 mbeten në fuqi kuotat prej 1500 persona në ditë në Kakavijë, 250 në Qafë Botë dhe 400 në Kapshticë dhe më vonë pritet liberalizimi total i lëvizjes.

Deri në këtë datë kufiri do të jetë i hapur vetëm për punëtorët sezonalë dhe qytetarët me pasaportë greke apo leje qendrimi.

Ndryshimet e parashikuara për hyrjen e turistëve nga vendet jo-anëtare të përfshira në listën e gjelbër të Bashkimit Europian për pandeminë parashikojnë që veç të vaksinuarve me dozat e vaksinave të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave, në Greqi të lejohet hyrja edhe me paraqitjen e rezultateve negative të testit të shpejtë anti-COVID të kryer deri 72 orë para udhëtimit ose të dokumentit që dëshmon shërimin nga koronavirusi gjatë 3 muajve të fundit.

Tv Klan