Kryeministri grek i kërkoi zyrtarisht kreut të Shtëpisë së Bardhë avionët ushtarakë F-35

Takimi mes kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit amerikan Joe Biden fshehu një lajm të madh. Kështu e cilësojnë mediat greke lajmin që Athina zyrtare po kërkon të blejë avionët ushtarakë të avancuar të prodhuar nga SHBA-ja para fundit të dekadës.

Mediat greke bën me dije se avionët ushtarakë F-35 janë pikërisht avionët që presidenti turk Recep Tayyip Erdogan donte të blinte për vendin e tij. Por zgjedhja e Ankarasë për të blerë sistemet ruse anti-ajrore S-400 provokoi hakmarrje nga amerikanët duke e bllokuar procesin e marrjes së tyre.

Pavarësisht se janë zhvilluar disa raunde bisedimesh, çështja e blerjes së avionëve F35 nga SHBA-ja mbeti pa zgjidhje, por kjo krijoi një mundësi për Greqinë që të mendonte t’i merrte vetë ajo.

Nisur nga kushtet e krijuara nga lufta në Ukrainë, nevoja për të forcuar krahun juglindor të NATO-s, por edhe për të “frenuar” provokimin turk, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shfrytëzoi rastin dhe i kërkoi zyrtarisht presidentit amerikan që Greqia të merrte avionët ushtarakë F-35.

Në takimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Mitsotakis i kërkoi Joe Biden që të japë dritën jeshile për të marrë avionët amerikanë të gjeneratës së 5-të. Por sa në fakt do t’i kushtojë qeverisë greke blerja e këyre avionëve?

Cdo avion i këtij lloji kushton rreth 80 milionë Dollarë. Për të blerë 24 avionë F-35, llogaritet se kostoja do të arrijë në 3 miliardë Dollarë, pasi përveç armëve do të kërkohet krijimi i infrastrukturës së re dhe trajnimi i pilotëve dhe teknikëve të Forcave Ajrore.

Klan News