Greqia ka vendosur përdorimin e armëve me valë zanore në kufijtë e saj me Turqinë, për të ndaluar emigrantët e paligjshëm të kalojnë në Evropë.

Arma me valë zanore, e krijuar fillimisht për komunikime në distanca të largëta, është menduar të përdoret si një metodë e duhur për të kontrolluar turmat e emigrantëve.

Pajisjet tanimë janë vendosur në provincën greke të Alexandroupolis, përgjatë lumit Maritsa, i cili përshkon Ballkanin dhe Evropën Juglindore. Këto pajisje njihen si armë sepse mund të lëshojnë valë aq të fuqishme zanore sa të shkaktojnë dhimbje dhe tronditje në trupin e njeriut.

Plani kryesor i Greqisë është t’i përdorë ato për të larguar turmat që mund të përpiqen të kalojnë një kufi tokësor, ose të dalin në breg me anije.

Këto lloj armësh përdoren në aeroporte për të mbajtur larg jetën e egër, në ferma të ndryshme apo rreth objekteve të energjisë bërthamore. Gjithsesi, përdorimi i tyre tek njerëzit është më i diskutueshëm, nga dëmi që mund të shkaktojnë.

Pajisjet e quajtura LRAD, të njohura gjithashtu si topa të zërit dhe armë zanore, mund të përdoren në tokë ose të montohen në automjete.

Ndërkohë, Greqia përveç këtij hapi të ri ka dërguar roje shtesë kufitare në zonë, ka vënë në dispozicion katër dronë dhe 15 kamera termike, për të ndihmuar në zbulimin e  kalimeve të natës nga emigrantët.

Deri tani, për shkak të numrit të madh të emigrantëve që futen në Greqi nga Turqia në përpjekje për të kaluar në Evropë, autoritetet greke kanë marrë masa të mëdha që nga muaji Shkurt. Ato kanë filluar me mbylljen e një pike kontrolli me Turqinë, madje forcat greke kanë hapur një llogore në atë pikë kufitare dhe kanë rritur numrin e rojeve. Kanë vendosur gardhe të gjera me tela e me gjemba në brigjet e lumit Maritsa. Pavarësisht kësaj, mijëra emigrantë vazhdojnë të kalojnë lumin me anije për të hyrë në vend./tvklan.al