Rekorde me shtrimet në spitale dhe intubime

Greqia po kalon ditët më të vështira të gjithë pandemisë së koronavirusit. 24-orëshi i fundit shënoi rekordin e infektimeve ditore me mbi 3 500 raste. Rekorde historike kanë shënuar edhe shtrimet në spitale që për të parën herë kanë arritur shifrën prej 5 mijë pacientësh. Rekord absolut më vete janë edhe 700 të intubuarit.

Gjysma e tyre janë në rajonin e Atikës. Edhe pse u hapën shtretër të rinj dhe u shtuan 206 mjekë pasi terapia intensive arriti kapacitetet maksimale, shtrimet në ato pavione në Athinë shtohen me ritme të shpejta. Autoritetet thonë se 10 ditët e ardhshme janë kritike, pasi pritet të jetë kulmi i valës së tretë.

Këtë 24-orësh edhe Italia shënoi rekord me mbi 29 mijë infektime ditore, shifra më e lartë e valës së tretë që prej Dhjetorit. Megjithatë, kryeministri Mario Draghi tha se në javën pas Pashkës do të hapen shkollat dhe do të nisë lehtësimi i masave të bllokadës rajonale që ka përfshirë më shumë se gjysmën e vendit.

Italia ka marrë kryesimin e listës së vendeve me infektimet më të larta ditore në kontinent. Franca kryesuese e deritanishme ka patur përgjysmim të rasteve ditore gjatë ditëve të fundit. Këtë 24 – orësh, niveli ka rënë nën 15 mijë, më mirë edhe se Polonia dhe Gjermania. Kancelarja Angela Merkel anuloi bllokadën kombëtare për Pashkë, duke kërkuar ndjesë personale për një masë të nxituar që sipas saj nuk ishte konsultuar mirë.

Tv Klan