Një natë tejet të vështirë kaluan banorët e fshatit Kalamos në Greqi për shkak të zjarreve që përfshinë zonën e Atikës të dielën pasdite. Flakët u panë fillimisht një masiv me pisha dhe në pak orë morën përmasa të mëdha. Emergjencat Civile bënë thirrje për evakuimin e menjëhershëm të banorëve në  Panorama, Agia Varvara, Vlastos dhe zonave përreth.

Gjatë natës era ndryshoi kursin me drejtim nga Veriu duke iu afruar shtëpive. Zjarrfikësit e patën shumë të vështirë ndërhyrjen pasi  shumë prej shtëpive rrethoheshin nga masive pishash. Në disa zona u kërkua shpallja e gjendjes së emergjencës.

Mbi vatrat e zjarrit fluturuan disa helikopterë, por flakët dolën jashtë kontrollit. Nuk ka ende një bilanc të qartë të dëmeve, por deri tani raportohet për më shumë se 20 banesa të shkrumbuara.

Banorët e evakuuar mes të cilëve 320 fëmijë janë strehuar në kampe, disa gjetën shpëtim në kishat e fshatrave, ndërsa autoritetet lokale kanë hedhur akuza për reagim të ngadaltë të ekipeve zjarrfikse.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuar edhe forca të ushtrisë, ku mes tyre pati edhe të lënduar. Zjarret vijojnë me intensitet të lartë edhe në zonën e Varnabës, ku ende po luftohet me flakët. TV KLAN