Flakët përfshijnë zona në kufi me Shqipërinë

Greqia po përballet të martën me vatra të shumta zjarresh në zona të ndryshme të vendit. Zjarri më i madh ka shpërthyer në orët e para pas mesnatës në gadishullin e Eubesë. Ndër të tjera po digjet një park pyjor që është përfshirë në programin europian ‘Natura’ për mbrojtjen e florës dhe faunës.

Fuqia e zjarrit është e tillë, saqë retë e tymit kanë mbërritur deri në kryeqytetin Athinë.

Në mesditë, dy fshatra pranë vatrës së zjarrit u evakuan me urdhër të Shërbimit të Mbrojtjes Civile.

Puna e zjarrfikësve është mjaft e vështirë, për shkak të terrenit të thyer, por edhe erërave që e kanë shtuar fuqinë tyre.

Dy zjarre të tjerë, në rajonin e Tebës dhe në zonën e Pogonit, pranë kufirit me Shqipërinë, ende nuk po vihen nën kontroll.

Në zonën e Atikës, autoritetet kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve dhe të njerëzve në zonat pyjore dhe ato bregdetare të pyllëzuara, ku ka rrezikshmëri më të lartë zjarri për të martën dhe ditët e ardhshme. Që prej disa ditësh Greqia po ndeshet me një valë zjarresh, disa prej të cilëve kanë qenë shkatërrues.

Në rajonin e Peloponezit u dogj 25 për qind e sipërfaqes së ishullit Elafonisos, ndërkohë që shumica e turistëve vendas e të huaj janë larguar tashmë.

Tv Klan