Bisedime për të bindur palën franceze të mbështesë Tiranën dhe Shkupin

Greqia mbështet nismën e Italisë për hapjen sa më shpejt të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Madje edhe vetë Athina po shqyrton marrjen e një iniciative nga ana e vet, duke theksuar se çdo hap duhet bërë me kujdes.

“Edhe pse ka shpallur si prioritet fuqizimin e rolit të vet në Ballkanin Perëndimor, Greqia qëndroi pasive ndaj mos marrjes së një vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tashmë duket se do të futet në lojë dhe të fitojë kohën e humbur. Por ende nuk i hap letrat e veta”.

Zëdhënësit e Ministrisë së Jashtme greke thanë se Athina do ta shpallë në kohën e duhur iniciativën e vet, me synimin për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm. Sipas tyre Athina po diskuton me palën franceze, që çështja e hapjes së negociatave të shtrohet sërish sa më shpejt.

Sa i përket kushteve për minoritetin që Athina shtron ndaj Tiranës, nga Ministria e Jashtme greke thuhet se ato nuk janë asgjë më shumë se sa zbatimi i rekomandimeve që kanë bërë organizmat ndërkombëtarë dhe që pala greke “do të vazhdojë t’i shtrojë sistematikisht”. 

Tv Klan