Qeveria greke po përgatitet për zjarret e mundshme që mund të shpërthejnë gjatë verës duke punësuar një numër rekord zjarrfikësish dhe pritet të angazhojë vullnetarë këtë verë.
Tek këta të fundit përfshihen pronarë biznesesh, studentë dhe punonjës të kompanive të cilët gjatë ditës, natës dhe në fundjavë lënë pas familjen dhe punën që bëjnë.
Një prej tyre është edhe 54-vjeçari Dimitris Marinelis, i cili ka qenë vullnetar për katër vitet e fundit. Marinelis drejton një kompani ndërtimi në Athinë së bashku me gruan e tij Marianna.
“Më duket sikur jam një person i ndryshëm pra me dy jetë. Profesioni im është biznesmen dhe ajo çfarë unë bëj në punën time është që më duhet të merrem me njerëzit . Me pas kur me bie telefoni më duhet të marr turnin dhe të bëhem pjesë e grupit. Harron gjithçka dhe ndalon së menduari për veten dhe fillon të mendosh për të tjerët”, tha Dimitris Marinelis.
Për të shpërblimi më i madh, është kur merr thjesht një ‘faleminderit’ nga qytetarët.
“I vetmi shpërblim që merr është vetëm një falënderim nga dikush që keni ndihmuar dhe ky është një shpërblim shumë më i madh dhe më i vlefshëm se të gjitha paratë në botë”, shtoi Dimitris Marinelis.
Nga zjarret më të rënda që ka ndihmuar është ai në rajonin verior të Evros në vitin 2023, i cili ka mbetur në kujtesën e tij për shkak të përmasave shkatërruese.
Zjarri vijoi për disa ditë, duke vrarë 20 persona dhe duke shkatërruar një zonë më të madhe se qyteti i New York.
“Mbaj mend përmasat e atij zjarri, mbaj mend vendasit, sa mirënjohës ishin, për të gjithë vullnetarët, për të gjithë zjarrfikësit. Ne kaluam disa ditë atje, fjetëm në fshatin Lefkimi. Nuk kam parë kurrë një zjarr aq të madh dhe të rrezikshëm”, përfundoi Marinelis.





Phoevos Bartsiokas, 44 vjeç, është po ashtu biznesmen me profesion. Babai i një fëmije 4-vjeçar, ai ka qenë vullnetar për 25 vjet.
“E bëj sepse jemi një vëllazëri, jemi një familje e vogël dhe është kënaqësi t’i ofrosh shërbim komunitetit tonë”, u shpreh Phoevos Bartsiokas.
Në Prill, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se vendi duhet të përgatitet për “më të keqen” për shkak të efekteve të ndryshimeve klimatike.
“Duhet t’u themi qytetarëve se kur bëhet fjalë për krizën klimatike, gjërat më të vështira na presin dhe duhet të jemi të përgatitur për skenarët më të këqij të mundshëm. Kriza klimatike është tashmë diçka reale dhe e dimë që verat tona do të jenë edhe më të ngrohta edhe më të thata”, tha Kyriakos Mitsotakis.
Për herë të parë, në vend do të ketë 18,000 zjarrfikës të përhershëm dhe sezonal dhe më shumë se 10,000 vullnetarë.
Athina ka investuar rreth 2 miliardë euro për të blerë avionë të rinj dhe dronë për të përballuar emergjencat e mundshme.
Klan News