Stuhia “Elias” ka sjellë shi të dendur dhe breshër, do të qëndrojë deri të premten
Shirat e rrëmbyer shkaktuan sërish përmbytje në disa pjesë të Greqisë të mërkurën, ende pa kaluar pasojat e stuhisë së mëparshme që mori 16 jetë.
Në qytetin bregdetar Volos, në rajonin e Thesalisë, stuhia Elias zhyti rrugët nën ujë. Ndërkohë në Greqinë kontinentale dhe në ishullin Evia zjarrfikësit iu përgjigjën dhjetëra thirrjeve për të ndihmuar banorët në shtëpitë e përmbytura.
Meteorologët thanë se fronti i ri, i cili mbërriti të hënën dhe që pritet të qëndrojë në vend deri të premten, solli shi të dendur dhe breshër. Autoritetet paralajmëron qytetarët të kufizojnë lëvizjet.
Reshjet e dendura të stuhisë Elias kanë goditur pjesë të Evias Veriore, ishullit të dytë më të madh të Greqisë që ndodhet në lindje të Athinës, ku mbi 50,000 hektarë pyje u shkatërruan nga zjarret masive në vitin 2021.
Në fshatin Rovies, në bregun veriperëndimor të ishullit, më shumë se 40 shtëpi janë përmbytur. Ekipet e shpëtimit po punojnë në mënyrë aktive për të evakuuar qytetarët e bllokuar.
Stuhia Elias godet Greqinë që ende nuk ka kaluar pasojat e stuhisë së mëparshme Daniel.
Mes baltës dhe mbeturinave në fshatin e përmbytur Metamorfosi në Greqinë Qendrore, bujku 60-vjeçar Athanasios Kostis po hedh kujtimet e një jete. Disa javë pas stuhisë, uji i ka lënë vendin baltës, jeta në shumë fshatra ashtu si dhe në Metamorfosi është shkretuar.
Ashtu si Kostis, mbi 300 banorët e fshatit merren kryesisht me kultivimin e pambukut, misrit si dhe me blegtori. Në rrugët e zbrazëta të Metamorfosit duken grumbuj sendesh të banorëve, piktura, mobilje, batanije dhe tapete.
Pajisjet dhe automjetet bujqësore të dëmtuara dhe të braktisura dergjen në oborre dhe në fusha. Karriget e kafenesë së mbyllur kanë mbetur aty ku i hodhi uji. I vetmi tingull është shiu, i sjellë nga fronti i fundit i stuhisë, ‘Elias’, që ka shkaktuar përmbytje të reja.
Klan News