parlamenti-greqiNë Greqi do të mbahen zgjedhje të parakohshme, pasi parlamenti dështoi të zgjedhë edhe në raundin e tretë Presidentin e ri të vendit.

Për kandidaturën e Stavros Dimas ishin “pro” vetëm 168 deputetë – aq sa edhe 6 ditë më parë, nga 180 vota të nevojshme në këtë raund të fundit.

Ndërkohë, që mandati i Presidentit 85-vjeçar Karolos Papulias përfundon më 12 Mars të 2015. Ka reaguar ashpër ndaj partive opozitare, Kryeministri Samaras, i cili tha se atë që nuk e bëri parlamenti, do ta bëjë populli me votën e tij.

Data e zgjedhje të parakohshme do të vendoset së shpejti, por Samaras tha se do t’i kërkonte Presidentit të vendoste për 25 Janarin. Ndërsa, nuk përjashtohet mundësia që ato të zhvillohen edhe një javë më pas në 1 Shkurt. Sondazhet aktuale i japin një avantazh prej 2 deri në 3 përqind radikalëve të majtë të udhëhequr nga Aleksis Cipras, kundrejt Demokracisë së Re.

Skenari i zgjedhjeve të parakohshme ka rikthyer në skenën politike edhe ish-Kryeministrin socialist Jorgo Papandreu, i cili pritet të shpallë brenda havës partinë e tij të re. Analistët e shohin këtë lëvizje si një përpjekje për të ngushtuar diferencën që ka mes koalicionit qeveritar dhe opozitës.

Pas përfundmit të votimit për raundin e tretë, bursa e Athinës reagoi menjëherë negativisht deri në 10.7%. Ndërsa, interesi për bonot sovrane greke e kaloi nivelin e 9%, të dhëna këto shumë pesimiste për ekonominë e vendit që po lufton me krizën që prej 2008.

Për t’i shpëtuar falimentimit dy paketa ndihmë iu akorduan Athinës prej 240 miliardë eurosh nga Bashkimi Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qëndrore Europiane. Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën në 17 Qershor 2012, ku fituese u shpall Demokracia e Re e Antonis Samaras.

Kjo forcë krijoi koalicion qeverisës me socialistët e PASOK dhe me Demokratët e Majtë, e ku këta të fundit u tërhoqën nga ekzekutivi një vit më pas.

Tv Klan