Balluku: Do të mbajnë përgjegjësi penale

Fluturimet në aerportin e Rinasit janë bllokuar pa patur një afat të përcaktuar. Fluturimi i mëngjesit i linjës Athinë-Tiranë është kthyer mbrapsht në shtetin fqinj, ndërsa linja Stamboll – Tiranë ka mbërritur me 40 minuta vonesë.

Shkak është bërë lënia e punës nga 60 kontrollorë të trafikut ajror në Shqipëri, të punësuar pranë Albcontrol, të cilët kryejnë shërbimin e sinjalizuesit për navigimin ajror dhe ulje-ngritjen e avionëve.

Pas një takimi të zhvilluar me sindikatën e tyre, i cili rezultoi pa sukses, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u bëri thirrje që të mos braktisin detyrën, pasi prekja e sigurisë kombëtare në këtë rast përbën vepër penale, duke paralajmëruar njëkohësisht edhe ndëshkime.

“Nga ky moment do të ketë marrje masash nga shteti ligjor dhe ndëshkime, por i bëj thirrje kontrollorëve që ndjejnë përgjegjësinë që të kthehen në detyrë. Është kapje e shtetit, është shantazh i pastër”.

Kontrollorët kanë deklaruar se janë të paaftë për të punuar për shkak të stresit që u ka krijuar ulja e pagës, por ministrja Balluku e konsideroi situatën si një grevë e cila për këtë sektor është e paligjshme, ndërsa ironizoi se ulja e pagës nga 4 mijë në 2490 Dollarë nuk mund të shkaktojë stres.

“Në të gjitha uljet në tryezë nga ana e kontrollorëve është që nuk i intereson ky problem, është puna e kompanisë se si do ta zgjidhë, ata janë mësuar që duan të kenë paratë, pra nëse nuk kanë 4 mijë Dollarë stresohen dhe nuk punojnë dot. Nuk është batutë. Unë e kam të shkruar nga një nga kontrollorët. Dhe për të bllokuar trafikun ajror dhe për të vënë nën presion shtetin shqiptar kanë vendosur të bëjnë akt që quhet paaftësi për të operuar. Kanë deklaruar që janë të paaftë për shkak të vështirësisë financiare duke rrezikuar kredinë, probleme familjare si pasojë e vështirësi familjare dhe zotëria ka aplikuar për borxh tek të afërmit. Se si një kontrollor i trafikut ajror thotë që është i paaftë për të punuar pasi ndihet në strese sepse paga e tij 4 mijë Dollarëshe është bërë 2490 Dollarë. Kjo pagë nuk i del një familje me 4 persona që të punojnë dhe kështu zotëria është detyruar të aplikojë për borxh tek familjarët”.

Balluku tha se kompania edhe pse është shtetërore ka një buxhet më vete dhe punonjësit nuk paguhen nga shteti. Për shkak të rënies së fluturimeve me 57%, edhe të ardhurat nga tarifat që vilen nga linjat e fluturimit janë tkurrur duke sjellë vështirësi financiare për kompaninë, ndërsa premtoi se do të tregojë me dokumente edhe uljen e pagave të drejtuesve.

“Fluturimet janë bllokuar, nuk kemi një afat për rihapje, por kemi një plan dhe nuk kemi datë. Administrata dhe çdo gjë tjetër po paguhet me pagë lufte, është ulur 80%”.

Përveç punonjësve, përgjegjëse për këtë situatë sipas Ballukut është edhe politika, e cila po bën çmos që të bllokojë vaksinimin dhe të sjellë kaos për qytetarët. 

Ulja e pagave ka nisur që në Prill të vitit të shkuar, ndërsa dhe pse ka patur disa takime mes sindikatës dhe përfaqësuesve të Albcontrol deri tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje.

Tv Klan